Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar gjithë materialin që posedon në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, duke mbyllur çështjen e saj. Pas kësaj, ekipet mbrojtëse kanë njoftuar se synojnë të dorëzojnë një mocion për rrëzimin e një pjese ose të gjithë aktakuzës. Monitoruesit thonë se procesi është shoqëruar me jotransparencë dhe neglizhencë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar punën e saj në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas njoftimit, ZPS në procesin e paraqitjes së provave të saj, thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë, ndërsa paraqiti rreth 3,000 prova materiale në shumë gjuhë.
ZPS njofton se deri më sot ka bërë 1,430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore.
Pas dorëzimit të të gjitha provave, prokurorja e Specializuar Kimberli Uest (Kimberly West) ka vlerësuar lart kurajën e viktimave dhe dëshmitarëve që dhanë dëshmi në këtë gjyq gjatë dy viteve të shkuara.
“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit. Për Kosovën është thelbësore që sundimi i ligjit dhe procesi gjyqësor në sallën e gjyqit të respektohen me qëllim që të ruhet integriteti dhe paanësia e procedurave dhe të gjendet e vërteta”.
Pas përfundimit të punës nga prokuroria, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se sot të gjitha ekipet mbrojtëse kanë njoftuar për hapat që do të ndërmarrin.
“Më 16 prill 2025, të gjitha ekipet e mbrojtjes e informuan Trupin Gjykues që synojnë të dorëzojnë mocione për rrëzimin e disa pikave, apo të gjitha akuzave në aktakuzë, në përputhje me rregulloren 130 të rregullores. Përveç kësaj, ekipet e mbrojtjes kanë bërë të ditur se do ta informojnë Trupin Gjykues nëse synojnë të paraqesin çështjet e tyre pas vendimit lidhur me mocionet sipas Rregullës 130”.
Se procesi ka mundur të jetë më transparent thotë monitoruesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Astrit Kolaj.
“Ne mendojmë se ky proces ka mundur të zhvillohet me një transparencë shumë më të madhe dhe të eleminohen disa probleme që janë zhvilluar përgjatë këtij procesi, qoftë edhe problemet teknike që për ne si monitorues kanë mundur të ndikojnë në pasqyrimin e një realiteti që ishte duke u zhvilluar atje”, tha Kolaj.
Ndërkohë, më 23 prill është planifikuar të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes në rastin ndaj krerëve të UÇK-së.