Në shpalosjen e fjalës përfundimtare në rastin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Pjetër Shalës, Prokuroria ka deklaruar se i pandehuri meriton dënim të rëndë. Prokurori Filipo de Minicis tha se Shala duhet të dënohet për ndalimi arbitrar, trajtimit mizor, torturë e vrasje të paligjshme në fabrikën e metaleve në Kukës në periudhën 17 maj e 5 qershor 1999. De Minicis u shpreh se një pjesë të fajit për krimet i ka pranuar edhe vetë Shala.
“Qëndrimi i Prokurorisë mbështetet në shtylla të shumta dhe të qëndrueshme. Provat sa i përket përgjegjësisë së të akuzuarit vijnë prej dëshmitarëve të tjerë, të ndryshëm dhe dëshmia e tyre ka qenë konsistente dhe e konfirmonin dëshminë e njëri-tjetrit. Sa u takon këtyre dëshmive kemi deklaratën e vetë të akuzuarit. Ai ka pranuar që ka qenë në Kukës gjatë periudhës së përcaktuar në aktakuzë. Po ashtu ka se ka marrë pjesë në disa nga krimet, ndonëse pranimet e tij në këtë drejtim kanë qenë të pjesshme. Pastaj e kemi dëshminë e pjesëtarëve të UÇK-së që kanë qenë në fabrikë dhe e kanë parë të akuzuarin atje në të njëjtën kohë që kanë thënë edhe viktimat që ai ka qenë pjesë e keqtrajtimit të tyre”, ka thënë ai.
Disa prej viktimave të ndalimit dhe keqtrajtimit sipas tij kanë shenja të dukshme fizike edhe sot e kësaj dite. Prokuroria në fjalën përfundimtare ka thënë se Shala marrë pjesë personalisht e edhe me të tjerët në kryerjen e këtyre krimeve dhe i ka bërë ato me dashje.
“Pjesëmarrja e tij ka qenë e vazhdueshme, e konsiderueshme dhe tejet e dhunshme”, tha de Minicis.
Në mesin e viktimave, sipas Prokurorisë, shumica janë shqiptarë, ku bëjnë pjesë burra dhe gra. Sipas tij, viktimat u morën kryesisht nga kampet e refugjatëve në Kukës, meqë Shala e pjesëtarë të tjerë të UÇK-së i shihnin si bashkëpunëtorë të Serbisë, me akuza që De Minicis i quajti të vagullta.
Prokurori De Minicis ka thënë se një pjesë e dëshmitarëve kanë vdekur, por historitë e keqtrajtimit janë treguar prej familjarëve të tyre. Megjithatë kërkoi që dënimi i Shalës të bëhet në bazë të dëshmive të dëshmitarëve që e kanë pasur mundësinë të paraqiten para gjykatës.
Lidhur me akuzën për vrasje, prokurori tha se personi i vrarë nuk përbënte rrezik.