Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se ka pranuar të shqyrtojë tarifat e energjisë elektrike.
Krejt kjo për të reflektuar çmimet e ngritura të importit si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë, me kërkesë të KEDS-it dhe KESCO-s.
Kësisoj, gjatë këtij procesi ajo do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve.
“Kjo rezulton në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit. Duke qenë se prodhimi vendor nuk mund të plotësojë të gjithë kërkesën për energji elektrike, paraqitet nevoja për import, që do të tejkalojë sasitë e lejuara nga ZRRE gjatë shqyrtimit të rregullt tarifor. Importi shtesë paraqet edhe kosto shtesë për operatorët, të cilat nuk janë parashikuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin relevant tarifor 2021”, thuhet në njoftim.
ZRRE ka njoftuar se në kuadër të këtij procesi do të bëjë analiza dhe kalkulime të bazuara në të dhënat e disponueshme dhe do të analizojë të gjitha rrethanat e krijuara në sektorin e energjisë në lidhje me kostot e sistemit si dhe në lidhje me menaxhimin e sigurisë së furnizimit.
Paralelisht do të analizohet edhe mundësia e rishikimit të strukturës së tarifave me pakicë të energjisë elektrike, ku do të shihet mundësia e aplikimit të mekanizmave tjerë për përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe të menaxhimit të kërkesës.
“ZRRE do të sigurohet që shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave të i nënshtrohet konsultimit me konsumatorët, kompanitë e licencuara, qeverinë dhe palët e tjera të interesit për të siguruar gjithpërfshirje, transparencë dhe mbrojtje të interesave të konsumatorëve”, thuhet në njoftim./Gazeta Enigma/