Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka sqaruar se nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Përmes një njfotimi, ZRrE-ja ka deklaruar se për të garantuar transparencë dhe për të krijuar një platformë dialogu me të gjitha palët e interesuara, kanë vënë në dispozicion për konsultim publik Raportin Konsultativ për të Hyrat e Lejuara Maksimale.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dëshiron të sqarojë opinionin publik se aktualisht nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e tarifave të energjisë. Me qëllim që të sigurohet transparencë dhe të krijohet mundësia e një dialogu të hapur nga të gjitha palët e interesuara, ZRRE-ja ka vendosur të ndajë për konsultim publik Raportin Konsultativ për të Hyrat e Lejuara Maksimale.
Në kuadër të përpjekjeve për të garantuar një proces të hapur dhe transparent, ZRRE-ja fton të gjitha palët e interesuara – përfshirë konsumatorët, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, që të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre mbi raportin e publikuar deri më 28 mars. Ky proces është një mundësi për të siguruar që çdo vendim të marrë të bazohet në mendime të shumta dhe të ndihmojë në krijimin e një sistemi të drejtë dhe të balancuar për të gjithë.
ZRRE-ja është e angazhuar për të siguruar informacion të plotë, të saktë dhe të qartë dhe për të mbajtur një komunikim të hapur dhe të vazhdueshëm me publikun për çdo zhvillim që mund të ndikojë në tarifat e energjisë. Për më shumë detaje dhe për të paraqitur komentet tuaja, ju mund të vizitoni faqen zyrtare të ZRRE-së”, thuhet në njoftim.
“Nga data 1 prill qytetarët pritet t’i marrin faturat e energjisë elektrike me tarifa me të larta”, kjo ende nuk është definitive sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka zbatuar dispozitat ligjore të përcaktuara në Rregullën për Përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale. Në përpjekje për të siguruar një proces transparent dhe të drejtë, ZRRE ka publikuar raportet për konsultim publik, të cilat pasqyrojnë në detaje analizat e kryera nga stafi profesioanl i ZRRE-së”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën “Enigma”.
Tutje nga ZRRE kanë theksuar se vendimi për tarifat e reja të energjisë do të merret në seancën përkatëse të Bordit .
“Ne ju informojmë se, pas përfundimit të procesit të konsultimit publik, Bordi i ZRRE-së do të shqyrtojë komentet dhe sugjerimet e paraqitura. Vendimi për tarifat e reja të energjisë do të merret në seancën përkatëse të Bordit të ZRRE-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Të pakënaqur nga ky vendim, pasi disa aksioneve simbolike, pritet që qytetarët të protestojnë para zyreve të ZRRE-së, duke nisur kështu edhe edhe një iniciativë në rrjetet sociale me moton “Asnjë cent më shumë”.