ZRRE: Rritja e tarifave do t’i përfshijë edhe komunat veriore

ZRRE: Rritja e tarifave do t’i përfshijë edhe komunat veriore

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka deklaruar se rritja e tarifave të energjisë elektrike prej 16.1 për qind do të operojë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe komunat veriore, raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një postimi në profilin e tyre në Facebook ZRRE ka theksuar se tarifat janë të detyrueshme edhe për furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever, që përfshin komunat në veri.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton opinionin publik se Bordi i ZRRE me datë 16.04.2025 ka aprovuar edhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit, Operimit të Sistemit dhe Operimit të Tregut, si dhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes, të cilat tarifa janë të detyrueshme për të gjithë Furnizuesit e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever”, thuhet në reagimin e tyre.

“Rritja e tarifave të energjisë elektrike 16.1% vlen për Furnizuesin me Shërbim Universal, që operon në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe këtë obligim të shërbimit universal e ka KESCO. Gjithashtu njoftojmë opinionin publik se Furnizuesi i energjisë elektrike Elektrosever ka licencë nga ZRRE për konsumatorët e katër komunave në veri të Republikës së Kosovës, si furnizues komercial, si dhe shumë furnizues tjerë të energjisë elektrike të licencuar nga ZRRE”. /Gazeta Enigma/

Related Articles