Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka dalë me një sqarim publik lidhur me raportimet e fundit që sugjerojnë se Gjykata Themelore ka urdhëruar kryeministrin Albin Kurti të paraqitet si dëshmitar, pavarësisht përgjigjes së saj të dërguar sot gjatë ditës, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, kjo situatë po shfrytëzohet për të krijuar keqinformim në opinionin publik.
Në sqarim thuhet se Zyra e Kryeministrit i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë me një letër më 28 shkurt, si përgjigje ndaj njoftimit të gjykatës të datës 21 shkurt 2025. Në këtë letër, është shprehur gatishmëria e kryeministrit për të bashkëpunuar, por ende nuk ka ardhur ndonjë përgjigje nga gjykata. Kryeziu sqaroi se raportimet mediatike të orëve të fundit nuk reflektojnë një vendim të ri të gjykatës pas letrës së sotme, por bazohen në njoftimin e mëparshëm të 21 shkurtit.
“Me ose pa qëllim, deklarata që Gjykata Themelore u ka dhënë medieve sot po përdoret për keqinformim, duke krijuar përshtypjen e gabuar se përkundër përgjigjes së Zyrës së Kryeministrit, gjykata ka urdhëruar kryeministrin Kurti të paraqitet në prokurori,” tha Kryeziu.
Zyra e Kryeministrit ka publikuar gjithashtu letrën e dërguar gjykatës, duke e bërë transparente komunikimin e saj (https://www.facebook.com/share/p/12CmrUia8hg/?mibextid=wwXIfr). Situata ka nxitur reagime të ndryshme, teksa çështja për të cilën Kurti është ftuar si dëshmitar lidhet me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, një temë me peshë politike dhe publike në Kosovë.
Deri më tani, Gjykata Themelore nuk ka dhënë ndonjë reagim shtesë për letrën e Zyrës së Kryeministrit.