Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit të ShBA-së për Evropë edhe Euroazi, Gabriel Escobar, ka udhëtuar për në Bruksel, enkas për takimin në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Nga Departamenti Amerikan kanë konfirmuar se Escobar ka udhëtuar “për ta mbështetur takimin e nivelit të lartë të 18 gushtit të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE”.
“Ne jemi të kënaqur që liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel më 18 gusht për të diskutuar mbi dialogun, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në e mbështesim plotësisht dialogun”, thuhet në përgjigje për Reporteri.
“Është e rëndësishme që të dyja palët ta shfrytëzojnë këtë takim për të avancuar tutje diskutimet për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”.
Të enjten nga ora 10:30 është paralajmëruar se do të zhvillohet takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Takimin do ta ndërmjetësojnë Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josepp Borrell, mbështetur nga i Dërguari për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.