Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina e cila ishte dikur pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje e pastaj edhe e PSD-së ka ndërruar kahje politike, raporton Gazeta “Enigma”.
Ajo sot iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kjo u bë e ditur nga LDK.
“Shqipe Pantina nga sot është pjesë e LDK-së. Ajo i bashkohet familjes sonë politike si një profesioniste me përvojë të shquar në jetën publike. Shqipe, mirë se vjen në LDK! Na priftë e mbara në rrugëtimin e përbashkët që na pret përpar”, thuhet në njoftimin e LDK-së
Në një postim në profilin e saj në Facebook, Pantina ka treguar arsyet e rikthimit të saj në politikë.
Ajo është shprehur se angazhimi i saj në politikë “çdoherë ka pas synim gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballet vendi ynë, andaj edhe e kam pranuar ketë ftesë dhe kam vendosur të i kthehem sërish politikës aktive”.
Ajo është shprehur e lumtur që i është bashkuar LDK-së.
“Ndihem e nderuar me ftesën e kryetarit Lumir Abdixhiku të bëhem pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Angazhimi im në politikë çdoherë ka pas synim gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballet vendi ynë, andaj edhe e kam pranuar ketë ftesë dhe kam vendosur të i kthehem sërish politikës aktive. LDK sot është bërë adresë ku shumë veprimtarë politikë, të reja e të rinj që duan të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë për vendin, familjen dhe veten e tyre, po i bashkohen kësaj partie”, ka thënë ajo. / Gazeta Enigma.