Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se nuk ekziston asnjë propozim gjerman për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Abazi në një konferencë theksoi se nuk ka asociacion që mund t’i kalojë ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
“Nuk ka propozim gjerman, nuk mund të ketë asnjë propozim me emra të tjerë. Në fakt ka vetëm një propozim, Asociacioni i komunave i cili duhet të formohet bazuar në ligjet ekzistuese të vendit. Nuk ka asociacion që mund t’i kalojë ligjet dhe Kushtetutën e vendit…”
“Nuk mundet një shtet që ka bërë gjenocid në të kaluarën të vendosë kushte për qytetarët e Kosovës. Do të duket qesharake që një shtet që ka vrarë fëmijë e gra tenton të jetë garantues demokratik i të drejtave të serbëve në Kosovë, kjo është paradoksale”, ka thënë ai.
Abazi ka folur edhe për reformën zgjedhore.
“Po iu thërras të gjithëve ekspertë, juristë e shoqërinë civile dhe mediat që të përcillni me kujdes këtë proces të rëndësishëm të reformës zgjedhore”, tha ai.
“Duhet të bëhet zgjedhja e drejtpërdrejt e presidentit me votën e qytetarëve”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se duhet të bëhet digjitalizimi i sistemit zgjedhor.
“Kosova të ndahet në pesë zona zgjedhore të cilat do të kenë përfaqësim të qytetarëve në parlament dhe votuesi do të ketë mundësi të gjejë përfaqësuesin e vet brenda Parlamentit” ka thënë ai.
“Ligji qe kemi sot ka lejuar deforminim e plotë të vullnetit të qytetarëve. Masakrimi i votës së qytetarëve ndodh në momentin e numërimit. Komisionerët bëjnë pazare se cilit kandidat do t’i takojnë votat e partive politike. Në shumicën e rasteve kandidati që ka pasur vëzhgues brenda. Ligji i ri duhet plotësisht, ta largojë këtë hapësirë të manipulimit të votës së qytetarëve”, ka shtuar ai.