​Avokati: Gucati nuk është kundër drejtësisë, ai ka kundërshtuar drejtësinë selektive

​Avokati: Gucati nuk është kundër drejtësisë, ai ka kundërshtuar drejtësinë selektive

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar të dëgjohet deklarata përmbyllëse e mbrojtjes, në gjykimin ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Avokati i Gucatit ka deklaruar se ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kundërshtuar vetëm drejtësinë selektive.

Avokati, Jonathan Elystan Rees ka thënë se ekzistojnë arsye objektive për të mbështetur qëndrimin e Hysni Gucatit në shqetësimin e tij për gjykatën dhe atë që ai e ka konsideruar drejtësi selektive.

“Zotëri Gucati e ka shprehur shqetësimin e tij për gjykatën dhe në fakt ka arsye objektive për të mbështetur këtë qëndrim ose pikëpamje të tij pavarësisht nga fakti nëse jeni dakord me të apo jo. Siç e kemi parë nga provat, shumë, përfshirë këtu edhe shumë anëtarë të shtypit në Kosovë ndajnë të njëjtën pikëpamje. Zotëri Gucati ka bërë thirrje për drejtësi për të gjithë, jo drejtësi për disa”, ka thënë avokati Rees.

“Zotëri Gucati thotë që ne nuk jemi kundër drejtësisë por jemi kundër drejtësisë selektive, drejtësisë përzgjedhëse, kjo përmbledh në mënyrë të pastër pozicionin e zotëri Gucatit dhe shqetësimit e tij lidhur me këtë gjykim. Mbështetja e tij për drejtësi për të gjithë është një pozitë, është një qëndrim që ai e ka shprehur gjatë periudhës së aktakuzës dhe në fakt edhe para kësaj periudhe”, ka thënë avokati i Gucatit.

Deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së Gucatit po dëgjohet pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka përfunduar deklaratën e saj.

Lidhur me këtë, avokati Rees ka deklaruar se si prova mund të vlerësohen vetëm ato prova që janë pranuar gjatë procesit të gjykimit.

“Testi i pikave individuale sa i takon zotëri Gucatit që prokuroria i ka aprovuar përtej dyshimit të arsyeshëm janë të sajuara. Vetëm provat të cilat janë pranuar gjatë procesit të gjykimit mund të konsiderohen dhe mund të vlerësohen, për shembull referenca në dosjen përfundimtare të prokurorisë në paragrafin 267, të një tjetër deklaratë e bërë nga prokurori i specializuar, deklaratë kjo e bërë jashtë gjykatë më 22 shtator 2020, nuk është pranuar si provë dhe kështu që nuk është më vend që ajo të referohet në dosjen përfundimtare të çështjes dhe sigurisht që nuk duhet të merret parasysh nga trupi gjykues”, ka thënë Ress, raporton kp.

Deklaratat përmbyllëse po dëgjohen pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.

Ndryshe, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Related Articles