Në mungesë të kuorumit nuk është votuar draft-rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në Kuvend kundër rritjes së çmimeve të faturave të energjisë elektrike.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se në sallë janë të pranishëm vetëm 45 deputetë dhe se seanca për votimin e mocionit të mbahet të mërkurën në orën 14:00.
Shefi i GP të PDK-së Abelard Tahiri paraqiti draft-rezolutën në emër të tri partive opozitare, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe që të ofrohen alternativa të reja nga Qeveria.
“Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot më datë 24 janar 2022, me propozim të GP të PDK-së, GP të LDK-së dhe GP të AAK, dhe të mbështetur deputetët e tjerë propozon këtë draft-rezolutë: Kuvendi obligon Qeverinë që të refuzojë propozimin aktual të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe të kërkojë propozim alternativa të reja: të shtyhet implementimi i tarifave të reja drejt muajve të ngrohtë”.
“Çdo propozim eventual për rritje të tarifave të shoqërohet me normë të reduktuar të TVSH-së në zero, të ndiqen modelet e shtete evropiane që kanë praktikuar një model të tillë, të ofrohet sa më parë alternativa afatgjate me energji të qëndrueshme dhe të përballueshme. Në këtë drejtim të ndërpriten vonesat e paarsyeshme dhe të dëmshme të qeverisë në lidhje me gazifikimin e Kosovës, një projekt që shtetet e rajonit e kanë nisur tashmë”.
“Qeveria duhet të përshpejtojë për dhënien e lejeve për nisjen masive të investimeve drejt sektorit të energjisë solare. Kuvendi i Kosovës obligon Qeverinë që në afat prej 15 ditësh të sjellë dhe të prezantojë në Kuvend një raport me shkrim për mos zbatimin të pikës pesë të vendimit të Kuvendit të datës 06.05.2021 për mos sigurimin në procesin e futjes në sistem të faturave sipas ligjit në fuqi te konsumatorët në komunat përkatëse në veri të Kosovës”, tha Tahiri.
Ndryshe, në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, pasi, siç ka thënë Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë për amvisëritë për 9 për qind. Qeveria ka thënë se ka ndarë 75 milionë euro që të subvencionojë një pjesë të faturave të energjisë.
Në propozimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E. Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.
Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.
Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.
Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.
Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro./Gazeta Enigma/