Në muajin prill të vitit të kaluar, 1 mijë teste për COVID-19 ishin pranuar si donacion nga Serbia, raporton Gazeta “Enigma”.
Megjithëse, këto teste nuk janë përdorur asnjëherë në vend, andaj Kosova do të duhet t’i asgjësojë ato.
E për këtë, deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu ka kërkuar llogari nga Ministria e Shëndetësisë, rrjedhimisht nga ministri Arben Vitia.
Ai e ka kritikuar atë për pranimin e këtyre testeve, duke thënë se tani Kosova duhet të shpenzoj për t’i asgjësuar ato.
“Me datë 17 prill 2020, në kohën kur ju ishit ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti 1, keni pranuar donacion 1 mijë teste për COVID-19 nga Serbia. Sipas raportimeve të udhëheqësve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, këto 1 mijë teste për COVID-19, donacion nga Serbia nuk janë përdorur për testim të qytetarëve të Kosovës, pasi që këto teste nuk janë përdorur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i është përgjigjur Haxhiut duke i thënë se këto teste do të asgjësohen bashkë me mjetet tjera të Laboratorit të Mikrobiologjisë.
“Bazuar në të dhënat e IKSHP-së, ato ruhen si dhe shumica e materialeve laboratorike të tjera dhe se ashtu siç deklaruat ju nuk janë përdorur asnjëherë për shkak të skadencës, këto kite do të trajtohen si të gjitha materialet e mikrobiologjisë me afat të skaduar sipas procedurave të departamentit të mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Me që nuk kërkohen procedura të veçanta të asgjësimit për to, dhe numri i këtyre testeve nuk është i madh, kjo nënkupton se do të asgjësohen në momentin e parë bashkë me mbetjet tjera të laboratorit”, ka shtuar ai.