1 muaj pas zgjedhjeve ende s’janë certifikuar rezultatet – A po rrezikohet kredibiliteti i KQZ-së?

1 muaj pas zgjedhjeve ende s’janë certifikuar rezultatet – A po rrezikohet kredibiliteti i KQZ-së?

Kosova pati krijuar një praktikë të mirë të procesit zgjedhor viteve të fundit e cila ishte duartrokitur edhe nga ndërkombëtarët e veçmas Bashkimi Evropian që monitoron zgjedhjet përmes vëzhguesve të saj, shkruan Gazeta Enigma.

Por, që kur qytetarët e Kosovës iu drejtuan kutive të votimit më 9 shkurt, 1 muaj pas certifikimi i rezultateve nuk është bërë, teksa vet partitë që morën pjesë në zgjedhje kanë hedhur dyshime mbi procesin e numërimit të votave në QNR.

Madje KQZ të hënën njoftoi se edhe 15 vendvotime do të rinumërohen.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se dje janë numëruar në QNR 13 nga 50 vendvotime teksa sipas tij procesi po vazhdon ende

“Sipas të dhënave, deri në përfundim të ditës së hënë janë rinumëruar 13 vendvotime nga 50 sa është numri i përgjithshëm i tyre për të cilat ka marrë vendim KQZ. Vendvotimet e rinumëruara deri më tani i takojnë komunës së Vushtrrisë.

Gjatë ditës së martë do të procedohet me rinumërimin edhe të vendvotimeve të tjera”, tha ai.

Në mbledhjen e mbajtur më 10 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dy vendime për rinumërimin e 50 vendvotimve.

Fillimisht, KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025. Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve.

Në anën tjetër të shumta kanë qenë reagimet nëopinionin publik, lidhur me kredibilitetin e këtij institucioni.

A po i humb kredibiliteti Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve?

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka folur për Gazetën Enigma lidhur me atë se si ai e ka parë tërë procesin zgjedhor.

Baraliu është shprehur se pavarësisht kohës së mjaftueshme që KQZ-ja ka pasë në dispozicion, duket se nuk janë përgatitur.

“Patjeter që po dalin në shesh mangësitë organizative dhe funksionale dhe komisioni qendror i zgjedhjeve si një institucion i pavarur kushtetues për organizimin menaxhimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve po del qe nuk kanë qenë të përgatitur”, tha ai.

“Ajo që po del tash në sipërfaqe me kërkesë, tëkandidatëve ose subjekteve politike është evidente nuk mund të thuhet nëse ka ose nuk ka gjasa (flet për manipulimet), ka prova në teren që në disa vendvotime, të paktën në ato ku ka pasur vërejtje dhe ështëkonstatuar tashmë, dhe të cilat kanë ndikuar nëzvarritjen dhe po ndikojnë në zvarritje të procesit, ka pasur manipulime, ka pasur lëshime por nuk mund tëthuhet se u gjihtë procesi është i tillë ende mendoj se procesi si i tillë, nuk e ka humbur integritetin e tij por nëse vahzdon të ketë probleme të tilla, edhe në komuna të tjera, atëhere mund të flasim për lëndim relativisht tëkonsiderushëm të procesit zgjedhor”, shtoi Baraliu.

Ndërkaq, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, të hënën pas përfundimit të mbledhjes së KQZ-së, ishte shprehur se LVV-ja do të ankohet në Gjykatën Supreme, për çështjen e rivotimit me postë nga votat jashtë Kosovës.

Lidhur me këtë Gazeta Enigma ka kontaktuar me Kurteshin i cili nuk ka komentuar mbi këtë çështje.

“Procesi është në vazhdim dhe tash për tash nuk mund të them diçka konkrete se është në vazhdim, kështu që nuk mund të konstatoj asgjë”, ka thënë ai.

“Ne kemi bërë ankesa në PZAP disa janë refuzu e disa janë pranu, por tash duhet me i pa rezultatet preleminare edhe varet se si subjekti e sheh, a ka arsye për ankesa të tjera apo jo”, tha Kurteshi.

Kujtojmë se qytetarët e Kosovës kanë votuar me datë 9 shkurt në zgjedhje të rregullta. /Gazeta Enigma

Related Articles