Mbi 140 është numri i kandidatëve nga komunitetet pakicë që kanë aplikuar për vende pune në Policinë e Kosovës, pas dorëheqjes së rreth 500 serbëve në nëntor të vitit të shkuar.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbi 140 kandidatë nga radhët e komuniteteve pakicë kanë aplikuar, ndërsa s’janë dhënë detaje se sa ka qenë numri i kërkuar.
“Siç jeni të informuar konkursi ka qenë i hapur dhe publik në webfaqen e Policisë së Kosovës si dhe faqen zyrtare në Facebook të Policisë së Kosovës, duke përfshirë të gjitha kriteret që parashihen, ku deri më tani ka pasur mbi 140 kandidatë të interesuar nga komunitete të pakicë për aplikim”, ka thënë Policia në një përgjigje për KOHËN.
Në uebfaqen e Policisë, 136 është numri i aplikuesve që do t’i nënshtrohen testit me shkrim. Testi me shkrim do të mbahet më 20 shkurt. Ndërsa pesë aplikues nuk i kanë plotësuer kushtet e rekrutimit në konkurs.
Në nëntor rreth 500 policë, sipas raportimeve të deritashme, ishin dorëhequr në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar veturat me targa serbe.