Policia e Kosovës ka bërë publike fletëqortimin që do të marrin vozitësit e automjeteve me targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, ku tashmë ka hyrë në fuqi masa qortuese e propozuar nga Qeveria e Kosovës për targat ilegale serbe të cilët refuzojnë t’i konvertojnë ato në ‘RKS’, nga 1 nëntori raporton Gazeta Enigma.
Sipas policisë, në rastin e shqiptimit të masës qortuese, nga vozitësit do të kërkohet që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.
Fletë qortimet, sipas policisë do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar.
Sipas vendimit të ri të Qeverisë, nga data 1 nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.
Masa e qortimit është vendosur që të përfundoj më 21 nëntor 2022. E më pas nga kjo datë e deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa ilegale është vendosur që të shqiptohen gjobë sipas legjislacionit në fuqi.
Gjobat që parashihen të shqiptohen për dy muaj radhazi do e kenë lartësinë prej 150 euro.
Ish drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një përgjigje për Gazetën Enigma, ka thënë se reagimi i Serbisë për qortimet është vetëm për konsum të brendshëm që para popullit të tyre të duken më të vërtet.
Qalaj ka cilësuar se më shqetësuese është thirrja që ata po i bëjnë serbëve në komunat veriore për rezistencë, kërcënim dhe dëmtim të atyre që i kanë konvertuar targat.
Mendoj që reagimi i Serbisë është vetëm për konsum të brendshëm pra që para popullit të saj të duket që me të vërtet ka për qëllim siç ata e quajnë mbrojtjen e serbeve’’, tha Qalaj.
‘’Më shqetësuese për mua është thirrja që ata po u bëjnë serbëve lokalë në komunat veriore për rezistencë, kërcënim dhe dëmtimi i pronave ndaj atyre që i kanë konvertuar targat, si dhe kërcënimi i liderëve të Listës Serbe për bllokim rrugësh dhe bllokim të pikave kufitare’’, ka deklaruar ish drejtori i Policisë së Kosovës për Gazetën Enigma.
Sipas tij mos reagimi i organeve shtetërore ndaj drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut i cili hapur ka deklaruar se nuk do ta zbatoj vendimin e Qeverisë për targat.
‘’Po ashtu është shumë shqetësuese mos reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Ministrit të punëve të Brendshme dhe Qeverisë ndaj Drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut i cili në konferencë për media hapur u deklarua se nuk do ta zbatoj vendimin e Qeverisë për targat’’, tha ai.
Qalaj: Ky mos reagim deri më tash është skandaloz dhe shumë shumë i dëmshëm për vendin.
Gjithashtu Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe me ekspertin e Sigurisë, Drizan Shala.
Sipas tij zbatimi i vendimit për shtyerjen e targave mund të ndodh vetëm në hyrje të pikave kufitare kurse brenda territorit të komunave me shumicë serbe është problem.
“Në lidhje më situatën e krijuar për këtë shtyerje të vendimit për targa mund të themi që zbatimi i tij mund të ndodh vetëm në hyrje të pikave kufitare por në brendësi të territorit në 4 komunat veriore do të jete problem”, tha Shala.
Shala theksoi se moszbatimi mund të jetë shkak i sjelljeve nga zyrtarët policor në veri të vendit.
“Për arsyje që zyrtarët Policor në veri të vendit që kanë prejardhjen prej strukturave paralel nuk do ta zbatojnë atë dhe kjo do të prodhoje situata të pa lakmushme”, tha Shala.
Shala potencoi se rezultatin e vendimit mund ta analizojmë nga data 21 nëntor.
“Nga data 21 nëntor do të analizohet se a ka prodhuar ndonjë situatë produktive veprimi i qortimit nëse nuk fillon periudha e ndrrimit atëherë edhe dënimet që pasojnë pas kësaj periudhe do të përfundojnë në një tavolin të bisedimeve në Bruksel dhe kjo e ul legjitimitetin dhe kretibilitetin e institucionit të sigurisë”, theksoi Shala.
Ai ka theksuar: “Në rast se vazhdon vendimi të gjej zbatim( pa ndërhyrje politike nga bashkësia ndërkombetare ) përkonfiskimin e targave ilegale duhet ta zbatojn policet e rendit ( stacionet policore nivelin komunal, stacioni i policisë rajonale të asaj pjese ) të mbështetur nga NJRSH, NJSO në përimetrin e sigurise të pika kontrolli”.
Sipas Shalës problem mund të jetë “lojaliteti” i policisë, pasi që në të kaluarën u kanë shërbyer grupeve kriminale.
“Pra problemi do të qëndrojë sa do të jenë lojal këta “policë” të cilët në të kaluarën janë dëshmuar që ju kanë shërbyer grupeve kriminale, strukturave paralele të sigurisë?”, u shpreh Shala.
‘’Problemi nuk do të jetë forma e zbatimit por do mbetet forma e qëndrueshmërisë së zbatimit nëse miret për bazë pengesat politike që do të determinojnë procesin’’, tha ai.
‘’Ndërsa deklarimet për gatishmëri nga ana e ushtrisë së Serbisë kjo është në vazhdën e aktiviteteve të tyre propagandistike që po tenton të bëj në njërën anë presion në anën tjetër t’i përçojë mesazh komunitetit serb që jeton në KS’’, ka përfunduar ai.
Ndër të tjera është suspenduar drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, pasi i njëjti ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.
Lajmin e ka bërë të ditur të enjten Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.
“Me datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare”, thuhet në njoftim.
Suspendimi i tij thuhet se është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.
/GAZETA ENIGMA/