21 policë të vrarë pas luftës

21 policë të vrarë pas luftës

Ofrimi i mbrojtjes dhe sigurisë për vendin, është qëllimi i të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. E disa nga ta, në shërbim të vendit gjetën vdekjen e tyre, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në Kosovë, që nga paslufta, 21 policë kanë mbetur të vrarë gjatë kohës sa ishin në detyrë.

Kështu bëhet e ditur sipas statistikave nga Policia e Kosovës.

Zyrtari i 21-të policor i Kosovës që ka humbur jetën në krye të detyrës, që nga themelimi i Policisë së Kosovës, është Sami Thaqi.

Ai ka humbur jetën gjatë një aksioni bastisjeje në fshatin Zhur të Prizrenit, kurse dy zyrtarë të tjerë policor ishin lënduar, prej të cilëve njëri kishte marrë plagë të rënda.

Një rast tjetër që bëri jehonë të madhe, ishte edhe ai i policit Triumf Riza, i cili  ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, u akuzua Enver Sekiraqa, ndërsa Arben Berisha si ekzekutor, ishte i dënuar me 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim. Për të njëjtat akuza ai ishte dënuar edhe në vitin 2020 mirëpo çështja ishte kthyer edhe një herë në rigjykim.

Në procesin e tij një varg personalitetesh të njohura kishin dëshmuar për ngjarjet rreth Rizës dhe Sekiraqës, njëra nga dëshmitarët ishte edhe këngëtarja Adelina Ismajli e cila në gjykimin e fundit ishte e ftuar për dëshmi së bashku me dy motrat e saj, Ema dhe Zanfina Ismajli, por këto të fundi nuk janë paraqitur fare.

Enver Sekiraqa, i akuzuari për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, është liruar nga paraburgimi më 15 tetor të këtij viti.

Përpos numrit prej 21 policëve që humbën jetën në detyrë, edhe numri i policëve të lënduar gjatë punës, konsiderohet të jetë shumë  i madh.

Pavarësisht se sa e rrezikuar mund të jetë jeta për pjesëtarët e policisë, gjatë ushtrimi të detyrës, për këta të fundit nuk ka sigurim shëndetësor.

Në lidhje me këtë çështje për Gazetën “Enigma”, nga Zyra e Informimit të Policisë së Kosovës kanë thënë se i ofrojnë mbështetje çdo punonjësi të lënduar në detyrë.

“Përkrahje në pushimin mjekësor me pagesë deri sa ti rikthehet aftësia për punë në Detyrë për çdo Punonjës të lënduar në detyrë; Sigurimi i Trajtimit jashtë vendit, kur trajtimi nuk është i mundshëm në Kosovë, dhe kompensimi i Trajtimit; Rehabilitimi i Punonjësit të PK-së të lënduar në Operacione Policore në Qendër Rehabilituese; Kompensimi i shpenzimeve të trajtimit të ngjarë për shkak të Lëndimit në detyrë”,  thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, ka deklaruar për Gazetën “Enigma” se që nga viti 2018 gjatë takimeve me Policinë e Kosovës është formuar një grup punues me të gjitha kompanitë e sigurimeve dhe është prezantuar një raport ku parashiheshin tri pako të ndryshme të sigurimeve.

Madje, sipas tij aty është paraparë edhe çmimi që do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës, derisa ai ka theksuar se shuma vjetore ishte 3.7 deri në katër milionë për nëntë mijë Policë në Kosovë.

Mazreku tutje ka thënë se dokument-propozimi është dërguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Komisione Parlamentare e në Qeveri.

“Unë e kam parë që nuk ka pasur vullnet politik që dikush të merret me këtë punë”, ka theksuar ai.

Edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka folur për këtë çështje i cili e ka konsideruar si neglizhencë nga niveli politik në Kosovë.

Madje, ai ka theksuar se siç shihet as në këtë mandat nuk pritet nga niveli dhe gatishmëria politike që të përmbushet kërkesa themelore për sigurimin shëndetësorë për pjesëtarët e Policisë.

“Policia e Kosovës që nga themelimi i saj në SHPK dhe shëndrimit të saj në PK, niveli politik në Kosovë nuk ka mundur që të arrijë që komponentës së sigurisë t’i ofrojë mundësitë e nevojshme sa i përket sigurimit të kushteve për të ushtruar profesionin pa e menduar jetën e tyre private”, ka thënë Shala për Gazetën “Enigma”.

Drizan Shala, eksperti i sigurisë

Sipas tij, karta e sigurimit shëndetësorë është duke u përdorur vetëm në kohë fushate apo në momentet e caktuara politike nga të gjithë.

Ndryshe, Ligji për sigurime shëndetësore është miratuar në vitin 2014 nga Kuvendi i Kosovës./Gazeta “Enigma”/

Related Articles