Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në një intervistë për një medium serb deklaroi ndër të tjera se kryeministri Albin Kurti kinse i kishte thënë se dhënia e tokës së Manastirit të Deçanit po bëhet për hatër të tij.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, u citua duke thënë Rashiq.
Për këtë deklaratë ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, njëherësh edhe ish-kryeministër, i cili tha se kjo deklaratë e “zhvesh plotësisht Kurtin nga retorika e tij mashtruese”.
“Për vite u fol për “tradhti” dhe “falje të tokës për manastirin”. Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: “Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd.” Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë Kryeministër u bë lehtësisht për hatër. Kaq “serioze” është vendimmarrja shtetërore e Kurtit. Hi syve për qytetarët, ndërsa vendime të kundërta e për hatër në prapaskenë”, deklaroi Hoti.
