Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një shkrim në Facebook, dedikuar 25-vjetorit të sulmit të dytë ndaj familjes Jashari.
Kurti është shprehur se nga ky sulm ,qëllimi ishte të kapeshin a të vriteshin veçanërisht Ademi dhe Hamza, por siç u shpreh ai, pa u kursyer familjarët e tjerë, gra dhe fëmijë, e siç tha ai, aq më pak shtëpitë dhe pasuria.
“Ky ishte sulmi i dytë i policisë serbe mbi Jasharët e Prekazit, pas sulmit të parë të kryer 6 vite më herët më 30 dhjetor 1991. Qëllimi ishte të kapeshin a të vriteshin veçanërisht Ademi dhe Hamza, por pa u kursyer familjarët e tjerë, gra dhe fëmijë, e aq më pak shtëpitë dhe pasuria. Atë natë, Ademi nuk ishte aty, kishte shkuar mysafir te daja i tij Osman Geci në Llaushë”.
“Nga tre djemtë e Shabanit, aty ishte Hamza, kurse vetë Shabani e kishte në odë për mysafir të nipin Bajram Gashin. Siç ka rrëfyer ai, natën që i parapriu sulmit, Hamza i kishte thënë: “Unë e di mirë që ne jemi në thumb dhe kurdoherë që të kenë mundësi ata do t’na sulmojnë me tërë fuqinë, për t’na shkatërruar dhe për t’na zhdukur nga faqja e dheut. Por, ne kemi vendosur që tu kundërvihemi dhe të bëjmë rezistencë deri në vdekje, me të gjithë anëtarët e familjes dhe kurrsesi të gjallë mos t’u bijmë në dorë dhe aspak nuk ua kemi frikën atyre”, thuhet në postimin e tij.
Kurti përmes këtij postimi në Facëbook ka shprehur nderimet e thella për qëndresën e Jasharëve.
“Përkulje me nderime të thella për qëndresën e Jasharëve të Prekazit, duke kujtuar sulmin e dytë të policisë serbe mbi ta, më 22 janar 1998, në këtë përvjetor të 25-të të tij”, thuhet ndër te tjera në postimin e Kurtit.