Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se nga data 30 gusht janë punësuar 263 persona në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje Kurti ka theksuar se 428 vende pune janë ende të lira, të cilat mbështeten nga skema e Qeverisë së Kosovës.
Postimi i plotë:
Skema e masës 1.8 “Qeveria për Familjet” u prezantua fillimisht në korrik të vitit 2022, e për të cilën u ndanë 10 milionë euro. Ndërkohë në muajin shkurt të këtij viti, përmes kësaj skeme, u lansua dhe masa e posaçme për përkrahjen e punësimit për qytetarët tanë në katër komunat në veri. Subvencionimi u caktua në nivelin 70% të pagës bruto për gjashtë muajt e parë deri në shumën 350 eurosh, e atë për 2000 vende pune.
Shtatë muaj nga fillimi i skemës, deri më 30 gusht në katër komunat në veri kemi ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimin e 263 personave, ndërkaq të deklaruara janë edhe 428 vende të lira të punës.
Më shumë punësim, më shumë mirëqenie. Më shumë integrim dhe ndërveprim mes komuniteteve.
Ju ftoj të aplikoni në Zyrat e Punësimit në katër komunat në veri, e të shfrytëzoni çdo mundësi që paraqitet për fushëveprimtarinë tuaj.
Republika e Kosovës është shtet i të gjithëve.