Foshnja e 26-vjeçares që vdiq të dielën si pasojë e COVID-19, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.
Ajo është një prej 3 foshnjave të nënave të prekura me COVID-19 që po trajtohen në Klinikën e Neonatologjisë, ka bërë të ditur ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së kësaj klinike të QKUK-së, Hajrije Ismaili, përcjell ksp-ja.
Dy foshnjat tjera janë gjendje stabile shëndetësore.
“Ditët e fundit në Klinikën e Neonatologjisë kemi pasur pranime të foshnjave të nënave COVID pozitiv, të gjitha foshnjat kanë rezultuar negative dhe gjendja e tyre e pothuajse të gjithave ka qenë stabile përveç një foshnje e cila është në gjendje të rëndë dhe që në momentin e lindjes ka qenë në gjendje të rëndë dhe vazhdon të jetë në ventilim mekanik. Aktualisht i kemi tri foshnje, dy prej tyre janë në gjendje stabile dhe 1 një gjendje të rëndë“, theksoi Ismaili.
Ismaili ka deklaruar se gjatë këtij viti në Klinikën e Neonatologjisë pozitivë kanë rezultuar 6 foshnja, prej tyre një ka vdekur javën e kaluar. Sipas saj, një foshnje tjetër ka vdiq si pasojë e koronavirusit vitin e kaluar.