3 vjet nga fitorja e madhe e Qeverisë “Kurti II” – Vite stagnimi apo zhvillimi?

3 vjet nga fitorja e madhe e Qeverisë “Kurti II” – Vite stagnimi apo zhvillimi?

Tre vite më parë, më 14 shkurt, Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, u ul sërish në ulësen e kryeministrit, por kësaj radhe për një kohë më të gjatë, sesa heren e parë, kur erdhi në pushtet më 3 shkurt, shkruan Gazeta Enigma.

E teksa Qeveria me mburrje se ka bërë punë të mira përgjatë mandatit tre vjeçar, nga partitë opozitare thonë se vendi këto vite me Kurtin në krye të Qeverisë, ka stagnuar. Madje ata thonë edhe se marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare, ndodhen në pikën më delikate.

Kryeministri Kurti sot ka nisur mbledhjen e Qeverisë së Kosovës me lëvdata për qeverinë që ai drejton.

“Dita e të Dashuruarve nuk është vetëm për dashurinë e njerëzve të dashur, por edhe dita e dashurisë për Kosovën”.

Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të mbledhjes së qeverisë së Kosovës, me rastin e 3-vjetorit të fitores së tij në zgjedhje.

“14 shkurti është vullneti i popullit për të ndërtuar të ardhmen e tij mes popujve e shteteve të barabarta. Kosova e 14 shkurtit, sot pas tri vitesh është republikë më e fortë më e qëndrueshme dhe më e mirë për të jetuar. Në Kosovë më 14 shkurt nuk shënohet vetëm Dita e Dashurisë ndaj njerëzve të dashur, por edhe dita e dashurisë ndaj Republikës sonë. 14 shkurti është dita e dashurisë ndaj vlerave të përbashkëta”, tha ai.

Kurti u lëvdua për gjithçka, megjithatë, nuk foli aspak për dialogun.

“Mbledhja e 188-të e qeverisë përkon me datën që shënon 3-vjetorin e fitores tonë historike të zgjedhjeve në 2021. Tre-vjetorin e ndryshimit të madh politik e shoqëror. 14 shkurti është momenti i përmbysjes më të madhe politike në Kosovë. Është momenti ku ngadhënjeu drejtësia mbi korrupsionin, interesi publik mbi atë privat e personal. Dëshmuam se është e mundur të qeveriset me vullnetin e popullit, me duar të pastra. Vendi ynë ka qenë shembull i vërtetë i guximit e vendosmërisë së popullit me sfida të mëdha që erdhën e kaluan njëra pas tjetrës”, tha ai.

“Janë përpjekur ta vonojnë reformën në ekonomi e drejtësi duke i sfiduar nismat në Kushtetuese, por reformat do të bëhen e po bëhen. Zhvillimi ekonomik do të vazhdojë. Me punë të ndershme ngritëm të hyrat tatimore. Në 3 vitet e fundit ekonomia jonë ka shënuar rritje të vazhdueshme. Janë dyfishuar investimet e huaja, dhe ka pasur rritje prej 2/3 të të ardhurave nga taksat pa ndryshime të politikës fiskale. Me masat tona qeveritare kemi shpërndarë edhe rritjen ekonomike edhe rritjen e të hyrave të shtetit. Arsimin e lartë e bëmë falas. Filluam me shtesa për lehona siç kishim premtuar. Luftuam krimin e korrupsionin siç kishim premtuar. Shkatërruam bandat kriminale në vend, ligjshmëria dita-ditës po shtrihet”, deklaroi Kurti.

E në anën tjetër, Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka renditur dështimet për tre vjetorin e qeverisjes së Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo ka vlerësuar se falë politikave të Kurtit, Amerika për herë të parë është duke vënë në pikëpyetje partneritetin me Kosovën, duke theksuar se janë 231 ditë që Kosova është nën sanksione nga BE.

Sipas Bajramit, kryeministri Kurti ka pranuar Zajednicën, thekson se kjo qeveri ka shkelur Kushtetutën 7 herë, dhe se vendi që 663 ditë është pa Kryeprokuror të Shtetit.

Bajrami përmendi edhe raportin e UNDP, sipas së cilës, listës së qytetarëve të varfër, i janë shtuar edhe 26 mijë të tjerë.

Ajo përmendi edhe rastet e Martin Berishajt e Nagip Krasniqit, si dy afera korruptive të lidhura direkt me qeverinë Kurti.

Tutje, Bajrami akuzon Qeverinë se në tri vitet e fundit janë dhënë 825 milionë euro subvencione me vendime të Qeverisë, pa asnjë kriter.

Postimi saj i plotë:

“Sot, në tre vjetorin e qeverisjes së Kurtit dhe LVV realiteti është ky:

Falë politikave të Kurtit, Amerika për herë të parë në histori po vë në pikëpyetje partneritetin me Kosovën,

Ka 231 ditë që Kosova është nën sanksione nga BE,

Albini e ka pranu Zajednicën,

Qeveria e ka shkelë 7 herë Kushtetutën,

Vendi është pa Kryeprokuror të Shtetit qe 663 ditë,

Pas tri viteve të Qeverisë së LVV nuk janë ndërtu 160 çerdhe. Nuk janë ndërtu as 5 shtepi për të moshuarit. Nuk janë ndërtu as nuk kanë fillu 4000 banesa për çiftet e reja.

Pas tri viteve nuk ka projekte infrastrukturore. Asnjë nga rrugët magjistrale nuk ka përfundu, projekte këto që kanë qënë në gjysëm. Shihni rrugën për Podujevë, rrugën për Pejë, atë për Gjilan – janë po aty ku ishin para tri viteve.

Përkundër faktit që patën premtu lirim të çmimi të energjisë në dy vitet e fundit, energjia u shtrejtua dy herë – çmimi i saj u dyfishua (tarifa e ulët nga 3.34 cent u bë 6.81 cent, ndërsa tarifa e lartë nga 7.79 cent u bë 14.45 cent).

Vendi jonë përjetoi inflacion enorm, sot çmimet e shportës bazë të konsumit janë mbi 50% me të shtrejta, nuk e larguan TVSH-në siç kishin premtuar.

Jeta e qytetarëve është rënduar, sipas raportit të UNDP listës së qytetarëve të varfër i janë shtuar edhe 26 mijë veta. Qytetarët po e financojnë konsumin me kredi dhe mbitërheqje, këtë e dëshmojnë të dhënat nga BQK-ja.

Ka pasë rënie të eksportit, rënie të investimeve private.

Sipas të dhënave të Trustit në dhjetor të vitit 2023 ka vetëm 5000 kontributdhënës me shumë në Trust se një vit me parë.

Nuk ka pasë rritje të pagave, përjashtim të Kabinetit Qeveritar, nuk ka pasë asnjë politikë fiskale, asnjë reformë për përmirësim të ambientit të biznesit. Është dyfyshu tatimi në pronë për qytetarë dhe biznese.

Nuk ka sigurime shëndetësore, nuk ka barna esenciale dhe kushte higjenike në spitalet tonat dhe është e vërtetë se ka lista të pritjes shumë të gjata për disa shërbime mjeksore.

Ka korrupcion, si rasti i Martin Berishajt, rasti i Nagip Krasniqit dhe një sërë rastesh të tjera ku krejt Qeveria ju del në mbrojtje duke e pengu drejtësinë ta kryej punen e vet flet për korrupcion. Për më tepër e thotë Raporti i fundit për Vendin i Kosmisionit Evropian se vetëm vitin e kaluar janë nënshkruar 2140 kontrata me negocim të drejtpërdrejtë, në vlerë mbi 78 milionë euro.

Ka nepotizëm, s’ka mbetë institucion pa u kapë nga militatat partiak e familjar. Një numër i madh i institucioneve janë vakante, ose punojnë me ushtrues detyre.

Në tri vitet e fundit janë dhënë 825 milionë euro subvencione me vendime të Qeverisë, pa asnjë kriter, pa asnjë efekt dhe pa kaluar filtrin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore sepse ai Komision nuk ekziston prej që ka ardhë LVV në pushtet.

Nuk është ndalë gjakderdhja financiare, ndërmarrjeve publike u janë dhënë mbi 200 milionë euro subvencione, rryma në komunat veriore i ka kushtu shtetit mbi 130 milionë euro.

Kosova ka dështuar në PISA, qe tri vite nxënësit fillojnë mësimin me nga një muaj vonesë. Sipas të dhënave të MASHT-it 77% e paraleleve dhe 33% e shkollave nuk i plotësojnë kushtet ligjore për të zhvilluar mësim. Nuk është ndërmarrë asnjë reformë, reformën që ministrja do duhej ta ndërmerrte në gjithë Kosovën e ka ndërpre në Kamenicë dukë shkelë kushtetutën.

Buxheti i Universitetit të Prishtinës është 1 milion euro me i ulët se vitin e kaluar.

Patën premtuar se do t’i forcojnë sindikatat, në fakt i kanë luftu dhe ju kanë ndërpre jashtligjshëm financimin.

Paga minimale është ajo që ka qënë sepse Ligji është antikushtetues.

Nuk ka vetting në drejtësi, sepse qëllimin e paten të keq, deshën ta kapin drejtësinë, andaj edhe kjo reformë ju ngeci.

Nuk ka pensionim të parakohshëm për policët, nuk ka trajtim të dinjitetshëm për asnjë kategori që i shërben shtetit, andaj njerëzit e këtij vendi po ikin.

E vërteta është se keni dështu!

Rruga e Re është rruga e vetme, dhe koha jonë po vjen.”

Analisti politik, Visar Xani, tha për Enigmën se ardhja e Vetëvendosjës në pushtet nga opozita, është një hap para për demokracinë e vendit, mirëpo, sa i përket qeverisjes, ai tha se kanë pasur shumë dështime, e sidomos në politikën e jashtme.

“Fillimisht marrja e pushtetit nga një parti opozitare është një progres në aspekt të demokracisë. Ndërsa sa i përket qeverisjes, mbetet shumë për t’u dëshiruar, për shkak që në shumë fusha ka pasur sfida, ka pasur dështime dhe ka pa pasur neglizhenca, sidomos në politikën e jashtme, me të cilën Kosova do të duhej të ketë më shumë progres dhe angazhim, sepse mirëqenia e shtetësisë tonë varet shumë nga politika e jashtme, nga lobimi” tha Xani.

Tutje, ai e sheh ftohjen e marrëdhënieve me ndërkombëtarët si dështimin më të madh të Qeverisë Kurti.

“Dështimi më i madh mbase mund të jetë pra ftohja e marrëdhënieve me ndër ndërkombëtarët, vendosja e masave ndaj Kosovës si mjet presioni për t’i adresuar dhe për t’i zbatuar disa marrëveshje dhe veprime të Kosovës”, shtoi ai.

Xani gjithashtu nuk lavdëroi politikat sociale të Kurtit me kabinetin e tij. Ai tha se pritshmëritë kanë qenë të mëdha, mirëpo qeverisja e deritanishme nuk ka dalluar aspak me qeveritë e kaluara.

Po ashtu gjendja sociale nuk ka pasur ndonjë ndryshim pozitiv dhe nëse marrim në përgjithësi, pra do të duhej të kishte një dinamikë më të madhe, për shkak se pritshmëritë kanë qenë më të mëdha dhe me gjasë që për dallim nga qeveritë që nga shpallja e pavarësisë dhe deri më sot nuk ka pasur ndonjë element më pozitiv sesa qeveritë tjera, përveçse janë vazhduar kryesisht pothuajse rrugë të njëjta dhe veprime të njëjta, pa ndonjë risi dhe rezultat dhe për të ndier atë ndryshimin e një qeverisje tjetër”, shtoi ai.

“Prandaj, mund të them që që nga pavarësia deri më sot kemi pothuajse një mentalitet të ngjashëm të qeverisjes, përjashtimisht nga aspekti i dialogut që në të kaluarën kemi pasur ndoshta bashkëpunim përtej të arsyeshme me ndërkombëtarët, ndërsa sot pothuajse bashkëpunimi është minimal dhe kjo po na sjell pasoja.” përfundoi Xani në një prononcim për Gazeta Enigma.

Related Articles