Një shtetas kosovar është kapur me 18 mijë euro të cilat dyshohet se po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi, raporton Enigma.
Këtë e ka bërë të ditur Policia e Shtetit, të cilët kanë thënë se paratë e padeklaruara janë gjetur gjatë kontrollit të automjetit me të cilin po udhëtonte 36-vjeçari.
“Shërbimet e Policisë Kufitare kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me autoritetet doganore, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Golf” me drejtues shtetasin kosovar D. M.
Gjatë kontrollit u gjetën 18 000 euro, të cilat ky shtetas po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, Prokuroria ka urdhëruar që të nis procedimi në liri për të dyshuarin, D.M., nga Mamusha, për veprën penale ‘Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë’, teksa paratë janë sekuestruar.
“Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar D. M., 36 vjeç, banues në Mamushë, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.