365 ditëshi i ushtrisë – Buxheti më i larti ndonjëherë, e ushqimi më i keq në historinë e FSK-së  

365 ditëshi i ushtrisë – Buxheti më i larti ndonjëherë, e ushqimi më i keq në historinë e FSK-së  

Ndonëse ende e re në moshë, ushtria e Kosovës e cila u jetësua në vitin 2018 ka përmbyllur një vit sfidues por që e bëri atë më të fuqishme e më konkurrente me ushtritë e rajonit, shkruan Gazeta Enigma.  
 
Me synimin për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, të kontribuoj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal, 2024-ta nuk ishte një vit krejt ‘shend e verë’ për FSK-në. 
 
Ushqimi jokualitativ që u shërbye ushtrisë në vitin që po lëmë pas shkaktuan zhurmë në   opinionin publik, me ç’rast shumë figura publike drejtuan gishtin drejt ekzekutivit. 
 
Por si nisi 2024 për Forcën e Sigurisë së Kosovës? 
 
Ndonëse Gazeta Enigma i ka dërguar pyetje Ministrisë së Mbrojtjes, për të marrë një pasqyrim më të detajuar për aktivitetet, avancimin dhe sfidat e FSK-së, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. 
 
Megjithatë në vijim do të listohen disa prej aktiviteteve kryesore të Forcës së Sigurisë.  
 
Si fillim, Qeveria e Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes, për 2024-tën i kishte ndarë buxhet prej 153 milionë eurosh. 
 
Në fillim të janarit, Departamenti amerikan i Shtetit kishte konfirmuar se Kosova kishte bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh, kërkesë kjo e cila ishte pranuar nga DASH. 
 
Një lajm të tillë aso kohe, presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk e kishte pritur mirë fare, madje vendimin e kishte cilësuar si ‘zhgënjim të madh’. 
 
Gjatë kësaj kohe, procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në forcë me kapacitete ushtarake, kishte hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar dhe po zhvillohej sipas planifikimeve, kishte njoftuar Ministria e Mbrojtjes. 
 
Pak muaj më vonë, në prill, Kosova mori pesë kamion ushtarak me vlerë rreth tre milionë euro si mbështetje nga Gjermania. 
 
Kamion këta të cilët shërbejnë për të kryer operacione taktike dhe logjistike në kushte sfiduese dhe në terrene të vështira. 
 


 
Muaj më pas, në qershor, me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, FSK bashkë me Policinë e Kosovës parakaluan në kryeqytet. 
 
Të pakta nuk ishin as trajnimet e përgatitjet që pjesëmarrësit e Forcës së Sigurisë, bën gjatë këtij viti, brenda dhe jashtë vendit. 
 
Forcat e Turqisë trajnuan gjithashtu ushtarët e FSK-së. 
 
Këta të fundit me sukses kryen edhe trajnimin më sfidues “Simboli i Ujkut”. 
 


 
Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës përfunduan me sukses edhe trajnimin e specializuar për përdorimin e mortajave 60 mm dhe 120 mm. 
 
Certifikata morën edhe për kryerjen e kursit të liderit luftarak dhe të fitnesit fizik. 
 
Ata u trajnuan edhe për sistemin e avancuar të armëve “SARP”. 
 
Kryen me sukses ushtrimin fushor me titull “Ujku i Çekliktë”, si dhe shumë aktivitete tjera që karakterizuan këtë vit. 
 
Problemi me ushqimin e FSK-së 
 
Gjatë tetorit mediat vendore publikuan shpesh fotografi të shujtave të ushtarëve, si dhe ankesave të pjesëtarëve të FSK-së për atë që u servohet. 

Por nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës aso kohe u tha se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe se në to shërbehet llojllojshmëri shujtash, ndërsa raportimet në media i cilësuan si propagandë. 

 
“E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik mbështetës, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës”, thuhej në reagimin e Ministrisë. 
 

 
Për këtë problem madje u thirr edhe një seancë e jashtëzakonshme, ku opozita i la fajin ekzekutivit për situatën e krijuar. 
 
E kjo seancë ishte bojkotuar nga deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. 
 
Prodhim i municioneve në Kosovë? 
 
Gjatë këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tregoi se ka nisur procesin drejt hapjes së një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnim të fluturakeve pa pilotë, të njohur si dronë. 

Ai tha se ky është “një hap i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë”. 

Ndërkaq ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se për këtë projekt janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, dhe se Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka asistuar me një “raport fizibiliteti”. 
 
Pak ditë më vonë, Qeveria e Kosovës nënshkroi një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Makine ve Kimya Endüstrisi, për themelimin e një fabrike të municioneve në Kosovë, kështu njoftoi Zyra e kryeministrit Albin Kurti. 

Sipas këtij njoftimi, “fabrika do të prodhojë kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s”.  
 
Krahas makinerisë prodhuese, në kontratën e nënshkruar, parashihej edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe kalibrim.  Zyra e kryeministrit shtoi se, fabrika do të veprojë si ndërmarrje publike dhe si “markë 100% vendore” e Kosovës. 

Çka ka nevojë FSK-ja në vitin 2025?

Për avancimin e FSK-së, punën e ekzekutivit karshi këtyre të fundit, për Gazetën Enigma ka folur edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala. 

Ai ka thënë se avancimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, varet nga disa faktorë. 

“Nëse Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka avancuar këtë vit varet nga faktorë të ndryshëm, si progresi në aftësitë e saj operacionale, modernizimi, trajnimi dhe integrimi ndërkombëtar” 

Shala është shprehur se FSK ka nevojë për investim në pajisje dhe nuk di nëse buxheti i paraparë nga Qeveria e Kosovës për vitin 2025 do të ishte i mjaftueshëm. 

“FSK-ja ka nevojë për përmirësime të vazhdueshme të pajisjeve, automjeteve dhe sistemeve të armatimit për të ruajtur gatishmërinë e saj, veçanërisht pasi ajo punon drejt përputhshmërisë së NATO-s. Pyetja është nëse buxheti i ndarë është i mjaftueshëm për të plotësuar këto nevoja në zhvillim?”, është shprehur ai. 

Kujtojmë se për vitin 2025 janë projektuar 208 milionë buxhet për këtë Ministri. Ndërsa për vitin 2024 ishin ndarë gjithsej 153 milionë euro. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, më 30.10.2024, ishte shprehur se për vitin 2025, që në fillim buxheti i Mbrojtjes do të shënojë nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor me nivelin prej 208 milionë euro.  

Shefi i ekzekutivit, u shpreh se një gjë e tillë nënkupton që me ndarjet shtesë gjatë vitit kjo do të tejkalojë edhe “dy përqindëshin që është edhe standard i NATO-s nga Samiti i saj para një dekade në Uells”./Gazeta Enigma

Related Articles