Deri në 4 milionë euro mund të shkojnë dëmet e shkaktuara nga vërshimet në Komunën e Istogut.
Shtëpi, biznese, rrugë, bujqësi, rrjet ujësjellësi e kanalizimi janë dëmtuar nga vërshimet, derisa autoritetet lokale i thanë Kohes se për evidentimin e dëmeve janë iniciuar tetë komisione.
“Deri sot kemi bërë vlerësimin nga 8 komisionet që kanë dalë në terren. Dëmet janë vlerësuar në ekonomi familjare (shtëpi banimi v.j.), infrastrukturë rrugore, duke përfshirë dëmtime të rrugëve të asfaltuara, rrugë të pa asfaltuara, ura e bankina përreth, biznese në bujqësi, në rrjet të ujësjellësit dhe të kanalizimit. Besoj se vlera e dëmit e konstatuar nga komisionet e vlerësimit do të arrijë diku nga 3.5 deri në 4 milionë euro”, deklaroi drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Istog, Abedin Kabashi.
Sipas Kabashit, 30 familje kanë mbetur pa shtëpi të banueshme. Aktualisht, ato po qëndrojnë te të afërmit, ndërsa ai shtoi se Komuna i ka furnizuar me pako ushqimore dhe higjienike.
“Familjet e evakuuara janë kthyer në shtëpitë e familjarëve të tyre. 30 familje janë te të afërmit. Komuna i ka ndihmuar me pako ushqime dhe gjësende të tjera. Për momentin, shtëpitë e tyre janë të pabanueshme, por besoj se me ndihmën e premtuar nga Qeveria, do t’iu ndahen mjete për renovimin e tyre (shtëpive v.j.)”, u shpreh drejtori i Shërbimeve Publike.
Ai tha se vërshimet kanë shkaktuar edhe rrëshqitje të dheut në fshatrat Kaliqan, Zhakovë dhe Rakosh.
Ndërsa, zëdhënësi për Informim i Komunës, Ardon Arifaj, deklaroi se zonat më të dëmtuara nga vërshimet janë Istogu i Poshtëm, Shushica e Epërme, Shushica e Ulët, Syrigana, Dubrava, Kërrnina e Epërme, Kërrina e Ulët, Osojani, Rakoshi dhe Prigoda.