Tone të larta e akuza të rënda – 11 ditë fushatë – Cila parti po prinë në tubime elektorale?

Tone të larta e akuza të rënda – 11 ditë fushatë – Cila parti po prinë në tubime elektorale?

Sot bëhen 11 ditë prej kur partitë politike kanë nisur fushatën elektorale, ani pse jozyratisht partitë kishin nisur fushatën muaj më parë, shkruan Gazeta Enigma.

Tone të larta nga kandidatët e partive, e edhe akuza të rënda për kundërkandidatët e tyre po “kumbojnë” nëpër sallat e tubimeve elektoralel.

Partitë politike të cilat po i mbajnë tubimet në shumë fshatra e qytete të Kosovës, duke i shpalosur programet e qëllimet e tyre politike, e kandidatët e tyre për deputet, duket se po mirëpriten nga simpatizantët teksa të gjitha sallat po mbushen mjaft shumë në bazë të pamjeve që po publikohen edhe nga partitë politike.

Por, sa janë të vërteta përkrahjet nga mbështetësit – do të konfirmohët më 9 shkurt.

A mund të përcaktohet fituesi në bazë të numrit të simpatizantëve në tubime?

Analisti i çështjeve politike, Blerim Burjani, thekson se nuk mund të përafrohemi me idenë se kush do të jetë fituesi në bazë të fushatës.

“Me fushata është më e vështirë për të përcaktuar se kush ka përparësi të jetë fitues, as në bazë të programeve pasi që premtimet janë të njejta mes opozitës aktuale dhe Lëvizjes Vetëvendsoje”, tha Burjani për Enigmën.

Ai potencon se me “bërtima” nuk mund të vlerësohet fituesi.

“Me bërtima nuk vlerësohet fituesi. Po të vlerësohet me bërtima ose shprehje agresive gati të gjithë po sillen njejtë. Sipas mendimit tim ne do të kemi rezultat të balancuar zgjedhor si: LVV 27%-35%, LDK 21%, PDK 20% dhe AAK %”, vazhdoi Burjani.

Ai ritheksoi edhe kushtet atmosferike, duke marrë parasysh që jemi në kohë dimri dhe një gjë e tillë e vështirëson zhvillimin e fushatave dhe mbledhjen e njerëzve.

“Fushatat po bëhen në dimër, kjo gjë e ka vështirësuar mbledhjen e njerëzve në tubime, e të aktivistëve. Kjo mund të jetë një problem që të mos ketë një fushatë më të mirë të organizuar. Por, në fund të ditës është e vështirë të përcaktohet se kush mund të jetë fitues me këto fushata të cilat bëhen në salla të mbyllura dhe secila prej subjekteve politike nuk e ka problem me i mbush me simpatizant, pra kjo gjë nuk është ndonjë tregues se kush prin më rezultat zgjedhor në bazë të mbledhjes së njerëzve në tubime”, përfundoi Burjani për Enigmën.

Kurse analisti i çështjeve politike Visar Xani, thotë se gjendja aktuale nga tubimet e subjekteve politike po krijon një dinamikë interesante – por që vendimtare mbeten rezultatet e votave.

“Në bazë të asaj që po shihet në rrjetet sociale dhe në pjesëmarrjen në tubime, duket se partitë kryesore po tërheqin pjesëmarrës të shumtë, por ka dallime në qasje. Partitë tradicionale si PDK dhe LDK po mbështeten nga struktura të konsoliduara, ndërsa VV po shfaq një angazhim më të madh të të rinjëve. Megjithatë, pjesëmarrja në tubime shpesh nuk reflekton automatikisht përkrahjen elektorale dhe duhet të merret me rezervë. Atmosfera në fushatë po krijon një dinamikë interesante, por vetëm vota do të tregojë rezultatin”, përfundoi Xani për Enigëmn.

Edhe, njohësi i çështjeve politike Shkodran Ramadani, potencon si dy partitë që meritojnë përkrahje në këtë fushatë janë PDK dhe LDK.

“Deri sot, Partia Demorkatike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë partitë më serioze për nga programi që kanë shpalosur, ekipi që kanë angazhuar dhe ofertat që kanë paraqitur. Mendoj së këto dy subjekteve politike duhet të ju ofrohet përkrahje e madhe nga ana e qytetarëve”, tha Ramadani për Enigmën./GazetaEnigma/

Related Articles