691 raste të dhunës në familje – viktima gratë dhe fëmijët

691 raste të dhunës në familje – viktima gratë dhe fëmijët

“691 raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës, nga muaji janar deri në prill”, kështu ka bërë të bërë të ditur zyra për media e policisë për Gazetën Enigma.

Sipas Policisë, qasja e këtij institucioni, karshi rasteve të dhunës në familje ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh.

“Ndër vite kemi realizuar edhe fushata vetëdisuese për pasojat e dhunës në familje, duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente”, ka njoftuar Policia.

Ky organ i akuzës ka bërë të ditur po ashtu  se ka trajtuar në vazhdimësi me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje.

Si trajtohen rastet e dhunës ne familje nga ana e psikologut?

Psikologe klinike Arta Mustafa, ka thënë për Enigmën se viktimat më të shpeshta të dhunës në familje janë, gratë dhe fëmijët kurse autorët e krimit janë anëtarët e familjes ose partnerët intim.

“Fëmijët janë më së shpeshti dëshmitar të drejtpërdrejt të dhunës duke e parë dhunën e ushtruar nga njëri prind në tjetrin (babi ushtron dhunë fizike dhe psikologjike tek nëna apo edhe e kundërta) ose janë ata drejtpërsëdrejti objekt i dhunës”, ka thënë ajo.

Për të kuptuar konkretisht se në çfarë gjendje emocionale është një viktimë e dhunës në familje, Mustafa tregon hapat bazë që i ndërmarrin duke u qasur indirekt në rast:

“Marrim iniciativë që të pyesim për njohurit e dhunës, duhet të i shpjegojmë që mjedisi është tejet konfidencial, pastaj bëjmë kontakte me sy dhe e dëgjojmë në mënyrë aktive intervistën e viktimës, gjithashtu tregohemi mbështetës jo gjykues.

 “Në rradhë të parë një psikolog i ofron mbështetjen emocionale viktimës, lehtëson komunikimin, vlerëson gjendjen emocionale, ne brengosemi për sigurinë e viktimës, vazhdojmë me disa seanca me viktimën deri sa të tejkalojmë fazën e parë të traumës sepse çdo keqtrajtim pason me trauma psikologjike që len shenja për një kohë të gjatë në memorien e viktimave prandaj dhe rikuperimi kërkon faza zhvillimore të cilat janë të gjata dhe ndahen në etapa”, ka treguar Mustafa.

Tutje ajo ka shpjeguar se si viktimat e dhunës në familje fillimisht raportojnë rastin në polici apo organet shtetërore, dhe varësisht nga rasti bëhet vlerësimi dhe shkon deri te adresimi i ndihmës nga psikologu, ku psikologu njoftohet me rastin, harton politika se si të kyçet në intervistën e parë me viktimën.

Figurat publike për dhunën në familje

Adriana Matoshi, aktore dhe tashmë edhe deputete e Kuvendit të Kosovës së bashku me deputeten Dude Balaj, janë dy figura publike të cilat i kanë dalë në ndihmë një gruaje e cila së bashku me dy vajzat e saj kishe përjetuar dhunë në familje për vitet të tëra.

“Viktima e cila nga viti 2014, nuk kishte lënë derë pa trokitur që të ankohet për problemet e saj, por të gjitha dyert i kishte pasur të mbyllura, duke mos gjete mbështetje as nga të afërmit e burrit. Nga frika se nuk do t’i shihte më vajzat, ajo refuzoi të largohej pa vajzat nga Kosova, duke qëndruar kështu plot 16 vite me mall e dhimbje, larg familjes e vendlindjes së saj”, tregon Matoshi përmes një postimi në rrjetet sociale rrëfimin e viktimës.

Viktima, shtetase e huaja, para 16 viteve ishte martuar në Kosovë, me shpresën që do të nisë një jetë të re e të lumtur, por në vend të saj ajo për 16 vite përjetoi dhunë fizike nga bashkëshorti.

Pas raportimit në komisionin për të drejtat e njeriut, ku deputetja Dude Balje e cila është edhe kryetare e komisionit, njoftohet detajisht me gjithë historinë e kësaj nënë, njoftojnë edhe Ministrin e Drejtësisë dhe arrijnë të caktojnë një takim me ambasadën e shtetit të saj dhe në fund të kësaj viktima me ndihën e tyre arrin të kthehet në vendlindje së bashku me dy vajzat e saj.

Ndërkaq gjatë vitit 2019 në Kosovë janë shënuar gjashtë raste të vrasjeve në familje, ku viktima kanë qenë femrat.

Katër nga këto raste, burri ka vrarë gruan e tij, në një rast viktimë ka qenë vajza e të dyshuarit, kurse në rastin tjetër viktimë ka qenë gruaja e djalit të dyshuarit.

Bazuar në të dhënat e Policisë në periudhën janar-shtator të vitit 2020, gjashtë gra janë vrarë, katër prej të cilave cilësohen si “vrasje të rënda”.

Ndërsa, brenda kësaj periudhe janë raportuar 1571 raste të dhunës në familje me 1596 viktima, prej të cilave janë evidentuar 1 mijë e 222 viktima vajza dhe gra.

Related Articles