“Opinioni i Komisionit të Venecias, është për tu vlerësuar sepse hap rrugën e procesit të vettingut, duke rekomanduar kujdes të veçantë ndryshimeve ligjore”.
Kështu ka thënë për Gazetën “Enimga” analisti për çështje të drejtësisë, Anton Nrecaj, i cili ka theksuar ky opinion udhëzon Minstrinë e Drejtësisë dhe qeverinë e Kosovës.
Sipas Nrecajt, duhet të ketë konsensus politik dhe vullnet politik të gjerë, duke evituar kështu ndërhyrje dhe involvim të politikës në institucionet e drejtësisë.
Nrecaj shtoi se “të gjitha veprimet e e ndryshimeve ligjore lejohen deri atë masë sa të jenë në harmoni me praktikat dhe standardet e vendeve të Bashkimit Europian”.
Ndërsa, në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, ku këta të fundit e kanë mirëpritur opinionin e Komisionit të Venecias.
Sipas Këshillit Prokurorial ky opinion siguron ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, duke ritheksuar se iniciativat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për të ndryshuar Ligjin për KPK-në me këto propozime janë në kundërshtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare.
“Sipas mendimit të Komisionit të Venecias, ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, dhe këto ndryshime propozojnë largimin e prokurorëve nga qeverisja e sistemit prokurorial në momentin më kritik kur do të zgjedhet Kryeprokurori i Shtetit dhe anëtarët prokurorë nga radhët e tyre”.
LEXO EDHE: Opinioni i Komisionit të Venecias, reagon Këshilli Prokurorial i Kosovës
Kurse, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është shprehur optimiste që Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandim pozitiv për uljen e mandatit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe ka dhënë rekomandim pozitiv për ndërprerjen e mandatit për disa anëtarë të KPK.
Ajo më tej ka thënë se “ne do t’i ndjekim pikë për pikë rekomandimet e Venecias dhe e falënderojmë për bashkëpunimin”.
“E kuptoj që reforma në drejtësi nuk i shkon për shtati as disa portaleve por nuk kemi çfarë t’ju bëjmë përveç se të angazhohemi shumë më shumë deri sa Kosova të jetë shtet i së drejtës”, tha Haxhiu.
LEXO EDHE: Opinioni i Komisionit të Venecias, Haxhiu: Do të ndiqen në përpikmëri rekomandimet
Edhe juristi, Ehat Miftaraj ka thënë se opinioni i Komisionit të Venecias është fillimi i reformimit të sistemit prokurorial drejtë një sistemi më llogaridhënës.
“Opinioni i Komisionit të Venecias i publikuar sot është fillimi i reformimit të sistemit prokurorial drejtë një sistemi më llogaridhënës.
Ai tutje thotë se Komisioni i Venecias ka miratuar kërkesën kryesore të MD lidhur me reformën në KPK dhe ndërprerjen e mandatit të shumicës së anëtarëve aktual. Përveç kësaj, Miftaraj thekson se ky komision gjithashtu ka mirëpritur vullnetin politik të shprehur edhe në seancën plenare nga përfaqësuesit e MD që të marrin për bazë zbatimin e rekomandimeve në opinion.
Ndryshe, bëhet e ditur se të premten në orën 10:00, grupi punues vazhdon punën në projektligje. /Gazeta Enigma/.