Blerim Syla nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka folur për propozimet që mjekët të përcaktohen nëse duan të punojnë në sektorin publik apo atë privat.
Syla në “Debat Plus” ka thënë se është e vështirë të kushtëzosh mjekët që të punojnë në sektorin publik me pagë 800 euro kur sipas tij në sektorin privat pagat shkojnë nga 1,500 euro e sipër.
“Për një vit nga sistemi publik në sistemin privat janë larguar 140 specialistë. Të jeni të vetëdijshëm 140 specialistë është shumë vështirë të prodhohen për një kohë të shkurtër”, tha ai.
Kryesindikalisti i shëndetësisë thotë se pagat në sektorin privat sa i përket shëndetësisë janë shumë më të larta në krahasim me sektorin publik.
“Paga më e vogël në sektorin privat është 1500 euro. Nuk po flas këtu për kirurg që paguhen me shumë marramendëse”.
Syla thotë se duhet të ruhet sektori publik në Kosovë pasi sipas tij njerëzit nuk kanë para për t’u shëruar në sektorin privat.
“Askush nuk mund të obligohet të qëndrojë në sektorin publik me 600 euro pagë”, deklaroi tutje Syla. /Gazeta Enigma/.