Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve Sportivë të Kosovës (SHGSK) do të vazhdojnë traditën e organizimit të konferencës “Sporti dhe Media”.
Këtë herë, edicioni i pestë i kësaj konference do të jetë më i veçantë, pasi do të jetë e nivelit ndërkombëtar.
Me këtë rast, me praninë e tij në cilësinë e panelistit do të na nderojë sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë (AIPS), Jura Ozmec, i cili njëherit është edhe kryeredaktor i Televizionit të Komitetit Olimpik të Kroacisë, si dhe kryetar i komisionit për media në Komitetin Olimpik të Kroacisë.
Ozmec ka një bagazh të madh si gazetar sportiv në Kroaci, duke punuar në mediume të shkruara dhe elektronike.
Konferenca do të zhvillohet në formë të panelit, ku krahas Ozmec, panelistë do të jenë edhe përfaqësues nga institucionet sportive dhe mediat vendore. Të drejtë pjesëmarrje me pyetje dhe diskutime kanë edhe të pranishmit tjerë.
Konferenca mbahet më 16 dhjetor 2021 (e enjte), në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë, me fillim në ora 13:00./Gazeta “Enigma”/