Gjatë ditës së mërkurë në Bruksel është zhvilluar takimi i tretë i grupeve punuese për çështjen e targave të automjeteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Këtë e ka bërë të ditur Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili përmes një postimi në Twitter mes tjerash ka potencuar se në takimin në fjalë delegacionet e ekspertëve kosovare dhe serbë janë angazhuar në një diskutim të thelluar.
“Sot në Bruksel është mbajtur mbledhja e tretë e Grupit Punues për targa. Delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë u angazhuan në një diskutim të thelluar. Kam besim se do të gjejnë një zgjidhje të përhershme për të mirën e qytetarëve të tyre”, ka shkuar Lajçak.
Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikë kalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak.
Ndërkaq dhjetë ditë më vonë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa
Marrëveshja zhbllokoi situatën në Veri të krijuar pas bllokadës me barrikada nga ana e serbëve protestues kundër zbatimit të masës së reciprocitetit me Serbinë. /Gazeta Enigma/.