Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, thotë se e ka pasur zgjidhjen për energjinë elektrike më 2007, për të cilën thotë se askush nuk e besoi.
Pacolli ka komentuar krizën energjetike nëpër të cilën po kalon Kosova. Ai në një status në Facebook ka cekur se e ka parashikuar këtë gjendje. Deputeti në Kuvendin e Kosovës ka ndarë me qytetarët idenë e tij, për të cilën thotë se është kryqëzuar.
“Sa e nevojshme do të ishte tani ekzistenca e një termocentrali që do të prodhonte energji elektrike me bazë gazi si lëndë djegëse. Unë e kam theksuar këtë dhe kam insistuar që kjo të ndodhë në Kosovë. Në vitin 2007/2009 kemi pasur investitorë potencialë për gazifikimin e linjitit tonë (prodhimi i gazit nga linjiti) dhe më tej ndërtimin e një termocentrali me gaz, prej 550 mgw”, tregon ai.
Pacolli thotë se i vjen keq që askush nuk i doli në ndihmë për të konkretizuar këtë ide.
“Për këtë propozim në atë kohë më akuzuan hapur se dua të dëmtoj resurset e Kosovës dhe thanë se linjiti është lënda jonë e parë e përhershme. Askush nuk më besoi se linjiti i pa transformuar nuk mund të përdoret në të ardhmen. Më vjen keq që në atë kohë askush nuk më erdhi në ndihmë për të mundësuar realizimin e këtij projekti, e tani duket se çmimi i energjisë po rritet në mënyrë të pakontrolluar. Pra, po dëshmohët se për të krijuar diçka të vlefshme, ka nevojë për një vizion të qartë … çfarë në të ardhmen!”, përfundoi Pacolli. /Gazeta Enigma/.