Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve që kanë udhëtuar të premten nga Kosova drejt Italisë ka mbetur në Aeroportin e Romës për shkak se nga autoritetet italiane s’u është lejuar hyrja, si pasojë e masave të reja anti-COVID që ka vendosur ky shtet të enjten.
Një nga udhëtarët ka alarmuar për situatën. Ai ka thënë se një numër i madh i udhëtarëve nga Kosova ka mbetur në Aeroport. “Asgjë s’po dimë. Nuk po dimë çka po bëhet me ne. Jemi duke pritur”, ka thënë ai duke shtuar se megjithatë një pjesë e qytetarëve janë liruar për të vazhduar.
Koha ka mësuar se autoritetet e Kosovës janë vënë në dijeni dhe kanë nisur kontaktet me institucionet italiane, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Të enjten, Qeveria e Italisë vendosi masa të reja anti-COVID. Italia e zgjati gjendjen e jashtëzakonshme deri më 31 mars 2022.
Nga 16 dhjetori vlejnë masa të reja të udhëtimit drejt Italisë. Kosova është në listën “E”. Bazuar në rregullat e kësaj kategorie, të gjithë ata që kanë qëndruar ose kanë kaluar transit në Kosovë në 14 ditët e fundit, mund të udhëtojnë drejt Italisë vetëm për arsye pune, shëndetësore, studimi, urgjence apo kthimi në vendbanim. S’lejohen udhëtimet për motive turizmi. Secili që dëshiron të niset drejt Italisë duhet paraprakisht të plotësojë formularin dixhital, të ketë test negativ e më pas të vetizolohet për 10 ditë dhe të përsërisë testin./Gazeta “Enigma”/