Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në Shtërpcë, ku u arrestuan dhjetë persona, përfshirë edhe ish-kryetarin e kësaj komune, të cilët dyshohen për marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Sipas Vuçiqit, ky aksion është hakmarrje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për nismën “Open Balkan”.
“Natyrisht, kryeministri Kurti e ka bërë këtë për shkak të Ballkanit të Hapur.
Në fillim na thanë se në veri jetojnë e veprojnë kriminelët, tash na doli se edhe në jug ka kriminelë. Nuk e di se si nuk e gjetën një kriminel në Ferizaj, por vetëm serbët dalin të jenë kriminelë”, ka thënë Vuçiqi, shkruan B92.
Kujtojmë se Kosova ka refuzuar nismën e Ballkanit të Hapur, që është themeluar nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.