Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari bashkë me prokurorin e çështjes, Rasim Maloku, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, kanë dhënë detaje për aksionin e zhvilluar të martën në komunën e Shtërpcës.
Në konferencë për media është bërë e ditur se nga ky aksion janë vënë në pranga dhjetë persona, teksa janë sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera: dollarë, franga zvicerane, lekë.
Përveç kësaj në konferencë u bë e ditur se janë sekuestruar edhe “tetë vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri, telefona etj”.
Kryeprokurori Jashari deklaroi se gjatë aksionit janë bastisur 11 lokacione, në Ferizaj, Prishtinë dhe Shtërpcë.
“Janë sekuestruar para, armë vetura, dokumente. Janë bastisur dy zyre të kuvendit komunal të Shtërpcës si ajo e katastrës dhe urbanizmit. Janë ndaluar ish -kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i gjeodezisë dhe urbanizimit, inspektorë komunal pronarë të kompanive të ndërtimit, disa qytetarë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare marrje dhe dhënie të ryshfetit”, tha Jashari.
Ndërkaq, prokurori Rasim Maloku u shpreh se në këtë çështje askush s’do të jetë i paprekshëm.
“Hetimet në vitin 2019, është ngritë një aktakuzë ndaj 10 personave, në vitin 2020 kemi filluar hetim të ri ndaj 10 personave, tani kemi zgjedhur hetimin edhe ndaj personave tjerë nën dyshimin për korrupsion, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi etj”.
“Në këtë çështje do të vazhdojmë edhe më tutje dhe askush nuk do të jetë i paprekur”, deklaroi Maloku.
Shefi i krimeve të rënda, Agron Haziri bëri të ditur se janë dhjetë persona të arrestuar dhe nga ky numër tetë janë nga Rajoni i Ferizajt dhe dy nga rajoni i Prishtinës.
“61 mijë euro të sekuestruara, monedha si dinarë, franga zvicërane, dollarë…Pushkë ajrore, 4 pistoleta, 2 pushkë gjuetie, karikatorë, gëzhoja, fishekë…8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, 13 telefona”, njoftoi përfaqësuesi i PK-së.
Ish-Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç, Drejtori i Urbanizmit e disa zyrtarë të tjerë të komunës së Shtërpcës dhe pronar të firmave, në total 10 persona, janë arrestuar mëngjesin e kësaj të marte me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Arrestimi i tyre u bë nën dyshimin se këta persona kanë kryer veprat penale Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, njofton prokuroria Themelore e Ferizajt.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë janë duke e zhvilluar një aksion në komunën e Shtërpcës.