Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka vendosur që të shkarkojë sot dy drejtorë të burgjeve në Kosovë.
Heset Loku, drejtor i burgut në Prizren dhe Arif Beqa, drejtor i burgut në Pejë, janë dy emrat për të cilët ministrja Haxhiu ka marrë vendim për shkarkimin e tyre.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka treguar se vendimin për shkarkimin e tyre e ka marrë sot.
“Po janë shkarkuar për shkak se kanë fshehur ngacmimin seksual ndaj një të miture. Vendimi është marrë sot”, ka thënë shkurt ministrja Haxhiu për Telegrafin.
Heset Loku më herët ka qenë Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ndërsa së fundi ishte transferuar në Prizren.
Ndryshe Loku ka qenë nënkryetar i Komunës së Kaçanikut në kohën kur këtë komunë e drejtonte Xhabir Zharku.
Kurse Arif Beqa më herët ka qenë drejtor në Qendrën e paraburgimit në Lipjan, ndërsa së fundi ishte transferuar në Pejë.