Omicroni në Kosovë – Këto janë shenjat që tregojnë se jeni infektuar

Omicroni në Kosovë – Këto janë shenjat që tregojnë se jeni infektuar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se varianti i ri i COVID-19, Omicron, ka arritur edhe në Kosovë ku janë paraqitur nëntë raste, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Nga IKSHPK kanë njoftuar të dielën e 26 dhjetorit se në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKShPK, janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021, ku nga këto mostra, nëntë prej tyre kanë rezultuar pozitive me variantin Omicron.

Tutje, në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste, dy prej tyre janë importuar nga SHBA-të, dy nga Londra, një nga Franca dhe katër në Mitrovicë, të cilët sipas IKSHPK-së thonë se nuk kanë udhëtuar dhe nuk kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike

“Pas paraqitjes së variantit Omicron (B.1.1.529) në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndoj situatën epidemiologjike”. “Ky variant, në bazë të të dhënave të deritanishme nga bota, ka një përhapje edhe më të shpejtë se varianti Delta Plus”, thuhet në reagimin e IKSHPK-së.

Pas këtij njoftimi MSh-ja bëri thirrje për respektim të masave në fuqi. Përveç respektimit të masave anti-COVID që janë në fuqi, MSh-ja kërkoi nga qytetarët që të vaksinohen dhe t’i inkurajojnë të tjerët për vaksinim.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi

Ende nuk dihet nëse do të ketë masa më strikte, pas konfirmimit të rasteve të para me variantin Omicron

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, javën e kaluar ka deklaruar se masat anti-COVID do të vendosen përkitazi me situatën epidemiologjike në vend. Ai ka paralajmëruar masa shtrënguese nëse do të ketë nevojë.

Simptomat e variantit Omicron të COVID-19

Simptomat e coronavirusit ende përfshijnë kollën më të zakonshme, temperaturë të lartë dhe humbje të shijes e nuhatjes. Por Omicron gjithashtu ka disa simptoma që janë specifike për atë variant .

Lodhja e vazhdueshme, dhimbjet e muskujve, madje edhe djersitjet gjatë natës, mund të jenë të gjitha shenja të infeksionit Omicron.

Doktor, Bartlett tha se “Simptomat e Omicron fillimisht mund të duken më të buta në krahasim me infeksionin nga varianti Delta. Varianti Omicron i COVID-19 mund të shkaktojë simptomat e zakonshme të njohura, të tilla si rrjedhje e hundës, ethe, kollë e vazhdueshme, dhimbje të kokës dhe fytit, dhe humbje të ndjenjës së shijimit dhe erës. Simptomat që mund të jenë më specifike për Omicron përfshijnë gërvishtjen e fytit në krahasim me dhimbjen e fytit, një kollë të thatë të vazhdueshme, lodhje ekstreme, dhimbje muskulore dhe djersitje gjatë natës”.

“Këto mund të jenë simptomat e para dhe të vetme të variantit Omicron. Mund të jetë e vështirë të bëhet dallimi midis COVID-19 dhe ftohjes së zakonshme pa testim PCR”. 

Infeltologu, Xhevat Demiri

Ndërsa, infektologu, Xhevat Derimi, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, pas paraqitjes së variantit Omicron ka thënë se variantet e reja çdo ditë e më shumë po përhapen në masë të madhe dhe me një shpejtësi të paparamenduar.

“Ashtu si varianti Omicron edhe variantet e mëparshme çdo ditë po shtohen, por ne duhet të jemi sa më vigjilent të mbrojmë veten dhe rrethin tonë, duke treguar një kujdes të shtuar në masat anti- COVID”, ka deklaruar Demiri.

Në këtë fazë që gjendemi vaksinimi duhet të jetë i rregullt

Demiri ka theksuar se “mënyra më e mirë e mbrojtës nga COVID-19, ose thënë më mirë nga variantet e reja si tani së fundmi Omicron, është vaksinimi me të dy dozat por nëse është nevoja edhe me dozën e tretë dhe atë përforcuese”.

Sipas tij “simptomat e Omicron janë përafërsisht të njëjta me variantin Delta Plus, kjo në bazë të të dhënave edhe nga OBSh, tani është i përzier edhe me simptomat e gripit sezonal”.

Varianti Omicron u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut, është kategorizuar si një “variant shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe tashmë është zbuluar se ka 30 mutacione të ndryshme, duke përfshirë tipare që nuk janë parë më parë./Gazeta Enigma/

Related Articles