Natën e fundit të këtij viti, kosovarët do ta presin nën masat kufizuese kundër COVID-19, shkruan Gazeta Enigma.
Se nuk do të ketë lehtësim të masave anti-COVID më 31 dhjetor dhe 1 janar, e kanë konfirmuar për Gazetën “Enigma” nga Ministria e Shëndetësisë.
“Nuk pritet të ketë ndryshim të masave që janë në fuqi. Ato duhet të respektohen. Përderisa nuk ka ndonjë vendim që i ndryshon masat në fuqi, vlejnë ato që janë ndërmarrë më parë”, kanë deklaruar nga MSh-ja.
Ndërsa, sipas masave antiCOVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës.
Lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërkaq muzika duhet të ndalet në orën 21:30.
Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, apo certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).
Ndërkaq nga data 3 janar e vitit 2020, për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës, do të vlejë vetëm certifikata e vaksinimit me dy doza të vaksinës.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë festave të fundvitit.
“Edhe nëse jeni plotësisht të vaksinuar praktikoni respektimin e masave kundër COVID-19 gjatë sezonës festive dhe gjatë tërë pandemisë. Planifikoni më herët blerjet me qëllim që të shmangni turmat dhe grumbullimet e panevojshme. Mbrohu nga COVID-19 dhe festo shëndetshëm”, thuhet në apelin e MSh-së.
Një favorë të tillë e ka kërkuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili me një videomesazh ka thënë se mërgimtarët duhet të ia mësyjnë Kosovës të vaksinuar.
Në anën tjetër, Kurti e ka falenderuar diasporën për rritje të ekonomisë.