Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, do të marrë të hënën edhe zyrtarisht detyrën e tij.
I ngarkuari i deritanishëm me punë në Ambasadën amerikane Nicholas J. Giacobbe ka bërë të ditur se ceremonia e zyrtarizimit të tij do të bëhet ditën e sotme.
Hovenier, i cili luajti një rol në negociatat që përfundimisht çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, u emërua në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe u konfirmua unanimisht nga Senati i SHBA-së më 18 nëntor.
Ai kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në Bellingham dhe shumë nga anëtarët e familjes së tij ende jetojnë në Whatcom County. Hovenier u transferua në Bellingham kur ishte në kopsht fëmijësh, pasi babai i tij mori një punë si profesor në Universitetin e Uashingtonit Perëndimor.
Hovenier ndoqi mësimet në shkollë publike në Bellingham, ku edhe diplomoi në shkollën e mesme në 1983. Ai u diplomua në bachelor në Universitetin Brigham Young dhe pastaj përfundoi edhe studimet master në Universitetin e Georgetown përpara se të fillonte karrierën e tij prej më shumë se tre dekadash si diplomat.
Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështje të sigurisë në Evropë dhe Euroazi. Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendës shef i misionit në Ambasadën e SHBA-së në Ankara.
Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai, Peru, Serbi dhe Mal të Zi. Ai flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht dhe ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë disa nga Qeveria e Kosovës.
Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Kjo është hera e parë që Hovenier shërben si ambasador i SHBA-së./Gazeta “Enigma”/