Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për B.K. i cili dyshohet për dhunë në familje dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Dyshohet se B.K. më 10 janar ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj kunatës së tij, duke e goditur me grushte.
“Me datën 10 janar në orët e mëngjesit, në Suharekë, saktësisht në shtëpinë e tij familjare, me dashje kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik dhe psikologjik apo emocional, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, ndaj të dëmtuarës respektivisht bashkëshortes së vëllait të tij, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake pasi që më parë i pandehuri e kishte keqtrajtuar fizikisht të dëmtuarën duke e goditur me grushte, ndërsa në momentin kur e dëmtuara ka qenë në shtëpi i pandehuri i drejtohet të dëmtuarës me fjalë si dhe e largon nga shtëpia, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe shqetësimit të madh”, bëhet e ditur në njoftimin e Gjykatës.
I dyshuari më pas ka sulmuar me thikë një zyrtar policor, i cili kishte shkuar në vendngjarje pas marrjes së informatës për dhunë në familjen e të dyshuarit.
Zyrtari policor ka pësuar lëndime në pjesën e kokës.
“Me datë të njëjtë të përshkruar si më lartë i pandehuri B.K., me dashje e sulmon personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, të dëmtuarin zyrtarin policor M.G., i cili kishte shkuar në kryerjen e detyrave zyrtare, kur zyrtarët policor kanë shkuar në vend ngjarje për tu marrë me rastin, takohen me të pandehurin, i pandehuri B.K., nuk ka qenë bashkëpunues me zyrtarët policor, në një moment i pandehuri nga xhepi i ka nxjerrë një mjetë të rrezikshëm – thikë dhe me të njëjtën e sulmon fizikisht të dëmtuarin zyrtarin policor M.G., të cilit i shkakton edhe lëndime trupore në pjesën e kokës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prizrenit.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e veprave penale të cilat janë të natyrës së rëndë, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale, andaj ekziston edhe rreziku se nëse i pandehuri lihet në liri i njëjti mund të përsëris apo të kryej vepra tjera penale të kësaj natyre, sepse rasti i dhunës, ka ndodhur në familjen në të cilët jetojnë në të njëjtën shtëpi i pandehuri dhe e dëmtuara, ndërsa zyrtarin policor e ka sulmuar me thikë”, thuhet në njoftim./Gazeta Enigma/