Pa ‘aminin’ e ambasadave, KPK-ja nis procedurat për zgjedhjet e Kryeprokurorit të ri të Shtetit

Pa ‘aminin’ e ambasadave, KPK-ja nis procedurat për zgjedhjet e Kryeprokurorit të ri të Shtetit


Të mërkurën, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) mori vendim që të shpallë konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, pasi mandati i kryeprokurorit aktual, Aleksandër Lumezit, përfundon në prill të këtij viti, shkruan Gazeta “Enigma”.

Por, reagimet e para që e kundërshtojnë këtë proces erdhën menjëherë pas shpalljes së konkursit.

Ambasada britanike ka reaguar për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke thënë se kjo gjë u bë pa kërkuar mbështetjen e ambasadës sikurse ka ndodhur në të kaluarën.

Madje nga Ambasada Britanike u tha se ky vendim ishte ishte befasues meqë ishin në pritje të përgjigjes për këtë shpallje.

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, ka shkruar ambasada.

Si do zgjidhet Kryeprokurori i ri?

Të kontaktuar në lidhje me ankesat e Ambasadës Britanike, KPK nuk ka kthyer përgjigje për Gazetën “Enigma”.

Konkursi për këtë pozitë do të jetë i hapur 15 ditë pas shpalljes së tij, duke filluar nga data 17 janar.

“Ky vendim është marrë duke u bazuar në Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, e cila përcakton që konkursi shpallet së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit. Mandati 7-vjeçar i Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi, do të përfundojë më 21 prill 2022”.

LEXO EDHE: Hapja e konkursit për kryeproror të shtetit, reagon KPK-ja: Do të ftojmë parnerët ndërkombëtarë për monitorim

Kryeprokurori Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill 2022.

KPK në takimin e të mërkures ka themeluar edhe Panelin Vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Anëtarë të këtij paneli, përveç kryesuesit të Këshillit, Jetish Maloku, përmes shortit u përzgjodhën anëtarët e KPK-së Ariana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq. Ky panel do të kryesohet nga kryesuesi i KPK-së.

Ndërsa, anëtarë të Komisionit për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve ndaj procesit të poentimit, pas tërheqjes së shortit u përzgjodhën anëtarët e KPK-së Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Agron Beka.


Dyshime për jo transparenc e kredibilitet në zgjedhjet e Kryeprokurorit

Drejtori i Institutit i Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj në një intervistë për Gazeta “Enigma”, është shprehur pesimist lidhur me përmirësimin e procesit të zgjedhjes së kryeprokurorit të ri.

Ai ka thënë se hezimi i partnerëve ndërkombëtar për të marrë pjesë në këtë proces, vjen për shkak të dyshimeve për jotransparencë.

“Partnerët ndërkombëtare nuk kishin pranuar të jenë pjesë e monitorimit të procesit të emërimit të shtatë antërëve të rinj të KPK në fillim të vitit 2021, mbi dyshimet e një procesi jo transparent.  Kjo pastaj ishte reflektuar edhe në raportin e progresit për vitin 2021 por edhe në opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me projekt ligjin per KPK”, ka thënë ai.

Tutje ai ka shtuar se “Një qasje e tillë e KPK pa dyshim se cenon integritetin dhe kredibilitetin e këtij procesi, sikurse humb besimin e publikut në vullnetin e KPK për të zhvilluar një proces transparent, pavarur dhe të paanshëm”.

Miftaraj thotë se kjo qasje e KPK është vazhdimësi e politikave të mbrapshta që është duke zbatuar që nga viti 2015 e këndej.

Për mos fillimin e mbarë të këtij procesi, Muftaraj ka fajësuar edhe Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij ka vonuar hartimin e ligjit për KPK-në.

Kjo qeveri është vonuar me hartimin e ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës në bazë të ligjit për prokurorin e shtetit, në bazë të rregullores së miratuar nga Këshilli Prokurorial, dhe me vet faktin që KPK tashmë ka shpallur konkursin edhe nëse miratohet ligji i KPK-së nga Kuvendi nesër, derisa të hin në fuqi kalon ky afat. Pra kjo nënkupton se procesi i përzgjedhjet nga KPK do të përfundoj me ligjin e vjetër, pra anëtarët aktual të KPK-së do ta qojnë këtë proces deri në fund”, theksoi ai.
Lumezi mandatin e tij në këtë pozitë e kishte filluar më 21 prill 2015, pas dekretimit të tij nga ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, për një mandat shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi.

Konkursi për këtë pozitë, sipas Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, duhet të shpallet nga KPK 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit.

Konform Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i Kryeprokurorit të ri të Shtetit do të jetë shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi. / Gazeta Enigma.

Related Articles