Në ditën kur presioni i shteteve të QUINT-it që Kosova të lejojë organizimin e referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës, u pa publikisht pasi ambasadorët e pesë shteteve mike të Kosovës i shkuan në zyrë krerëve të shtetit, kryeministri Albin Kurti ka publikuar për herën e dytë letrën që ia dërgoi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Në anglisht dhe të përkthyer në shqip e keni letrën të cilën e mora dje nga Sekretari Amerikan i Shtetit, z. Antony J. Blinken. Është përmbajtjesore, e mirë dhe që vlen të rilexohet”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Në letrën e tij, Blinken ofroi mbështetjen e SHBA-së që dialogu Kosovë-Serbi të ketë në qendër njohjen reciproke. Megjithatë ai kërkoi respektimin e zotimeve paraprake të Kosovës e përmendi edhe “dy kompromise në planin afatshkurtër”, ku përfshiu një marrëveshje për energjinë në veri të Kosovës e çështjen e të pagjeturve.
Të premten, ambasadorët e QUINT-it dhe ai i Bashkimit Evropian i shkuan Kurtit në zyrë për t’i kërkuar lejimin e organizimit të referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Por krerët e shtetit kanë refuzuar. Për këtë është ftuar një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për të shtunën. Aty planifikohet të dilet me një rezolutë. /Gazeta “Enigma”/