Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i ka bërë thirrje opozitës që të mos marrë pjesë në seancën e së shtunës ku do të diskutohet mbi referendumin e Serbisë në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.
Molliqaj në profilin e tij në Facebook ka shkruar se sipas tij nevojat e Kurtit nuk janë edhe nevojat e shtetit të Kosovës.
“Qëllimet e Qeverisë nuk janë edhe aspiratat e qytetarëve të vendit. Ndërsa, koncensusi politik i shërben vetëm metodave perfide të Kryeministrit. Ai ka nevojë për një opozitë që i rri gatitur. Gabimet e partive opozitare, bërë në të kaluarën, nuk guxojnë ta përcaktojnë as shantazhojnë rrugëtimin e subjekteve politike”, ka shkruar ai.
“Mendësia e “mëkatit fillestar” duhet ndërprerë. Kjo logjikë merr pengje. Veprimi i lirë është jashtë koordinatave të vendosura nga pushteti obstruksionist. Skenaret e Kurtit e defaktorizojnë opozitën dhe e ngulfasin të ardhmen”, ka shtuar tutje Molliqaj.
Njëkohësit ai ka bërë apel opozitës që të mos marrin pjesë në seancën e së shtunës.
Ndryshe, kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, pasi priti të premtën në takim ambasadorët e QUINT’it, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën dhe Vjosa Osmanin – presidente, vendosi që të thërret seancë të jashtëzakonshme të shtunën me fillim nga ora 14:00.
Kjo pas kërkesës që erdhi nga ambasadorët e QUINT’it që referendumi i Serbisë të mbahet në Kosovë, kërkesë e cila u refuzua nga Kurti./Gazeta Enigma/