Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë për zhvillimet e mbrëmshme në Merdare, ku u arrestua koordinatori nga Serbia që sillte materialin e referendumit.
Sipas Policisë, kanë ardhur tri automjete (një veturë dhe dy kamion) me targa të Serbisë, në të cilat kanë qenë gjashtë persona dhe që gjatë kontrollit është vërejtur se kanë pasur të ngarkuar material për referendumit që do të mbahet nesër në Serbi.
“Më 14.01.2022, në ora 21:40, në Pikën e kalimit Kufitar Merdare që lidh Serbinë me Republikën e Kosovës (RKS), në hyrje për në vendin tonë, kanë ardhur tri automjete (një veturë dhe dy kamion) me targa të Serbisë, në të cilat kanë qenë gjashtë persona. Njësitet policore gjatë realizimit të detyrave dhe procedurave-kontrolleve që zbatohen gjatë kalimeve kufitare, kanë vërejtur se në kamion kishte të ngarkuar material që dyshohej se përdoret për ‘referendumin’ që pritet të mbahet në Serbi”, ka njoftuar Policia.
Policia thotë se s’ka lejuar hyrjen e këtij materiali në territorin e Republikës së Kosovës, derisa personat që kanë qenë në këto automjete pas intervistimit janë kthyer në Serbi.
“Bazuar në informacionet zyrtare, detyrat dhe autorizimet policore, është ndaluar hyrja në RKS, e këtij materiali i cili po transportohej pa leje përkatëse. Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, dy mjetet transportuese (kamionët) janë dërguar tek autoritet kompetente doganore, ndërsa pas intervistimit personat me automjetin e tyre janë kthyer mbrapa në Serbi. Rasti do të vazhdojë të trajtohet në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organet e drejtësisë”, thuhet tutje në komunikatë.
E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka njoftuar të premten në mbrëmje se në pikën kufitare Merdare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ndalur një koordinator i cili ka tentuar të fuste në Republikën e Kosovës materialin zgjedhor për referendumin serb.
Sipas njoftimit, koordinatori i këtij komisioni, Marko Jankoviq, ishte i shoqëruar nga dy kamionë që transportonin material zgjedhor, lidhur me çka “ishte njoftuar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë”. /Gazeta “Enigma”/