“Kalimi eventual në të mësuarit online do të duhej të ishte zgjedhja e fundit dhe atë specifike për secilën shkollës veçmas sipas numrit të infektimeve”.
Kështu ka deklaruar njohësi i arsimit, Rinor Qehaja në një përgjigje me shkrim për Gazetën ‘Enigma’, kur është pyetur se cila do të ishte zgjedhja e duhur, mësimi online apo ai me prezencë fizike.
Sipas tij mësimi me prezencë të plotë në shkollë do të duhej të ishte prioritet institucional.
Se si ka ndikuar deri më tani mësimi online duke pas parasysh që edhe më herët është zhvilluar një praktikë e tillë, Qehaja e sheh si jo efikas.
“Mësimi nga distanca dhe ai online tashmë janë dëshmuar si jo shumë efikas andaj edhe i kuptueshëm insistimi i komunitetit të shkollës për mësim të plotë në shkolla”.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci deri më tani ka konfirmuar se në skenarin e mësimit në distancë kanë kaluar tetë shkolla.
“Janë diku rreth 8 shkolla që kanë kaluar në skenarin e mësimit në distancë. Duhet pasur kujdes të shtuar për respektimin e masave edhe për vaksinim të gjitha moshave me dozat e rekomanduara dhe të respektojmë masat që të sigurohemi që shkollat t’i mbajmë hapur”, ka thënë ajo.
Në komunën e Gjilanit, me rekomandim të IKSHPK’së vetëm shkolla “Abdulla Tahiri” në fshatin Malishevë ka kaluar në mësim online.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Nexhat Hajrullahu, ka konfirmuar një gjë të tillë për Gazetën ‘Enigma’.
Hajrullahu ka bërë të ditur se në këtë komunë, “ka edhe disa klasë në shkolla tjera të komunës së Gjilanit që kanë kaluar në mësim online, por jo e gjithë shkolla”.
“Rekomandimet nga IKSHPK janë për dhjetë ditë të zhvillohet mësimi online”, thekson ai.
Kurse, në Komunën e Podujevës, 13 mësimdhënës dhe 16 nxënës janë infektuar me COVID-19.
Këtë e ka bërë të ditur për ‘Enigmën’, zëdhënësi i komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.
Megjithëse, në Llap, deri tash nuk është mbyllur asnjë shkollë.
“Po janë tri klasë në Podujevë që kanë kaluar në mësim online pas shfaqjeve të rasteve me COVID-19. Dy klasë janë fillore dhe një klasë që ka kaluar në mësimin online është në shkollën e mesme teknike “Fan Noli”. Në bazë të kësaj gjendje nuk ka nevojë. Në klasat në të cilat ka të infektuar nxënës apo mësimdhënës kanë kaluar në mësim online sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit”, deklaroi ai.
Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se duke pasur parasysh shifrat alarmante të rasteve me COVID-19, mësimi duhet të vazhdohet online.
“Metoda online e punës në shkolla është një version i drejt për kufizimin e rasteve me infeksion në këtë kohë shumë të rënduar me pandeminë në vend”, ka theksuar ai.
Tutje Ramadani ka theksuar se vaksinimi me dozën përforcuese është mënyra më e mirë për mbrojtje nga COVID-i, edhe vaksinimi i fëmijëve nuk duhet të lihet anash.
“Vaksinimi duhet të jetë në masë të madhe me dozën përforcuese, edhe fëmijët sa më shumë të vaksinohen, dhe përveç shkollave dhe duhet të vazhdoj platforma online jo vetëm në shkollat ku ka të infektuar, por nëse është nevoja për mbrojtjen e shëndetit duhet të ketë edhe mbyllje të shkollave”, ka përfunduar Ramadani.
Ndryshe, pas shtimit të rasteve me COVID-19, Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar masat e reja anti-COVID.
Sipas vendimit, kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00, për dallim që deri tash fillonte nga ora 00:00.
Kurse, sa i përket arsimit, ministrja Nagavci ka nënvizuar se “situata do të menaxhohet nga shkolla në shkollë, por nuk do ketë vendim bllok për të gjitha shkollat”./Gazeta Enigma/