Papuqi i Besës së Pejës: Një ditë do të kthehemi në “majat” e futbollit të Kosovës

Papuqi i Besës së Pejës: Një ditë do të kthehemi në “majat” e futbollit të Kosovës

Besa e Pejës pas rënies nga Superliga edicionin e kaluar, tani është e rrezikuar për rënie edhe nga Liga e Parë e Kosovës.

Pejanët ndodhen në pozitën e fundit në Grupin A të Ligës së Parë dhe e kanë të vështirë deri në fund për të siguruar ekzistencën.

Ish-futbollisti i mirënjohur dhe tashmë trajneri i Besës, Fisnik Papuqi thotë se ekipi i tij ka një fond të futbollistëve kryesisht të ri në moshë e që është pjesë e projektit që ka klubi.

Papuqi i vetëdijshëm se gjendja në të cilën ndodhet Besa e Pejës nuk i shkon përshtati as skuadrës e as qytetit të Pejës, shprehet optimist se një ditë Besa do të prek “majat” e futbollit të Kosovës.

“Ne të gjithë e dimë se Besa edhe në Superligë para dy viteve është paraqitur me lojtarë të moshës shumë të re. Ku mesatarja ka qenë 18-19 vjeç e futbollistëve. Pra ky osht projekti Besës. Besa po iu jep një mundësi shumë të mirë talentëve anë e mban Kosovës. Edhe në Ligën e Parë Besa është duke u paraqitur me lojtarë mjaft të ri. E dimë që jemi në një pozitë të palakmushme dhe nuk e duron ekipi i Besës dhe qyteti i Pejës këtë pozitë, por ne jemi duke punuar që së pari Besa mos të bie edhe nga kjo ligë dhe pastaj në vitet në vazhdim dhe me gjeneratën qe e kemi mendojmë që një ditë Besa të kthehet në Superligë dhe të jetë një ekip shumë i fortë dhe stabil”, deklaroi trajneri i Besës, Fisnik Papuqi të hënën për Demokracia.com.

Natyrisht se pozita tabelore i detyron pejanët të bëjnë punë të madhe në fazën përgatitore dimërore para nisjes së stinorit pranveror.

“Përgatitjet po shkojnë mjaft mirë edhe pse është një fazë mjaft e vështirë për futbollistët. Mirëpo djemtë janë duke punuar maksimalisht dhe jam shumë i kënaqur me përgatitjet si po shkojnë. Jemi duke shikuar opsionin që edhe një mini fazë përgatitore ta zhvillojmë në Durrës, sepse reshjet e borës po na pamundësojnë punën me topin”, shtoi ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Papuqi.

Për fund, Papuqi u shpreh i bindur se me disa përforcime në afatin kalimtar të janarit, Besa do të sigurojë mbetjen në Ligën e Parë.

“Ne jemi duke punuar dhe jemi shumë optimist që Besa nuk do të bie nga Liga e Parë. Sepse kemi nje grup mjaft të mirë lojtarësh dhe me katër apo pesë perforcime une jam i bindur se Besa do të mbijeton”, tha për fund, Fisnik Papuqi.

Related Articles