Kryeministri Kurti mori pjesë në tryezën e rrumbullakët për Programin e banimit adekuat social për Kosovë
Kurti, në hapje të tryezës së rrumbullakët për Programin e banimit adekuat social për Kosovë tha se banimi social është infrastrukturë kritike për të ngritur mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve, për barazi sociale e për të fuqizuar e zhvilluar komunitetet.
Me ç’rast ai theksoi edhe se funksioni i banimit social shkon përtej strehimit të njerëzve në nevojë, sigurimit të banimit të përballueshëm për komunitetet me të ardhura më të ulëta dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre të përgjithshme.
“Qeveria është duke punuar në këtë drejtim dhe programi i banimit social parashihet edhe në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025”, thuhet në komunikatë.
Me këtë rast sipas komunikatës për medie nga zyra e kryeministrit thuhet se Kurti, ta ketë theksuar se brenda mandatit, synojnë ta krijojnë programin për banim social, si dhe të mundësojnë banim të përballueshëm për 4 mijë familje.
“Kjo do të arrihet përmes skemës “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120, përkatësisht 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, mirëpo kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit, i cili do të themelohet dhe ngarkohet me zbatimin e projektit”, thuhet tutje. /Gazeta Enigma.