Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka folur për organizimin e protestës kundër tarifave të reja të rrymës dhe raportet me partitë tjera opozitare në këtë drejtim.
Molliqaj thotë se në protestën e së shtunës do të jenë përfaqësuesit e të gjitha partive opozitare në Kuvend e jashtë saj.
“Propozimin e ZRrE-së nuk e mbështesin as deputetët e partive në pushtet por që nuk shprehen publikisht për një gjë të tillë. Këtë e bazoj nga takimet e shumta që kam pasur ditëve të fundit me qytetarë, gazetarë e analistë. Sigurisht se ata nuk mund të shprehen për shkak të funksionimit të LVV-së”, tha ai.
Ai thotë se opozita do të duhej të ishte e bashkuar në këtë kauzë.
“Kam takuar zotin Abdixhiku këtë javë, kam takuar zonjën Çitaku, pasi kryetari Krasniqi ishte me COVID-19 dhe kam biseduar në telefon me zotin Haradinaj. Ka një dallim në opozitë për këtë çështje. Nga dy partitë e mëdha mendojnë se armiku më i madh i Kurtit është vet Kurti, unë nuk e besoj këtë. Ata mendojnë se ne duhet të qëndrojmë anash derisa qytetarët ta shohin se Kurti nuk bën”, tha ai ne Dukagjini, përcjell Gazeta Enigma.
Molliqaj thotë pavarësisht këtyre dallimeve kanë kaluar mirë në takimet me partitë opozitare.
“Të gjithë mendojnë se propozimi i ZRrE-së është i papranueshëm”.
I pari i PSD-së thotë se nuk kanë qëllim ta sulmojnë vetëm Kurtin, por janë të detyruar ta bëjnë për shkak të pozitës që ka.
“Le të largohet Albin Kurti nga politika, kurrë nuk do të flasim për të”, tha ndër të tjera Molliqaj.
Ndërsa, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaron se nuk do të marrin pjesë në protestën kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, e cila organizohet këtë të shtunë nga PSD-ja.
Por, Krasniqi, thotë se subjekti që ai drejton nuk është kundër organizimit të këtyre protestave.
“Ne kemi vlerësuar të drejtën e protestimit edhe në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur protesta. Por, normalisht jo të drejtën e dhunës në protesta dhe të krejt atyre veprimeve që zakonisht i kanë përcjellë ato protesta të tyre, është një prej shprehjeve më demokratike protesta dhe marrja pjesë në protesta, por, protestë ka pasur më duket edhe dje, e ka organizuar një organizatë joqeveritare, nesër apo kur është një proteste tjetër. Mund të ketë edhe ndonjë tjetër më vonë, kjo nuk do të thotë që ne duhet ta mbështesim atë protestë, por nuk jemi as kundër saj”, ka thënë ai.
“Pjesëmarrja në protestë është e drejtë për secilin qytetar, jo vetëm për ata që i mbështesin partitë opozitare, por edhe partinë në pushtet Vetëvendosjen, bile ata e dinë edhe ma mirë qysh me protestu, kanë përvojë”, përfundon Krasniqi./Gazeta Enigma/