Mikrobiologu, Lul Raka ka folur rreth situatës epidemiologjike në Kosovë.
Ai ka deklaruar se varianti Omicron i cili ka shënuar rritje masive në vend dhe botë, mund të shmangë pjesërisht veprimin mbrojtës të antitrupave, të krijuar nga vaksinimi.
Raka thotë se Kosova ka shkallën më të ulët të vdekjeve në 1 milion banorë.
“Në raportin e fundit të ECDC (European Center for Disease Control), që përfshin periudhën kohore 10-23 Janar 2022, Kosova ka incidencë prej 1157 rasteve në 100.000 banorë. Nga shtetet e rajonit, Shqipëria ka 997 raste, Maqedonia 1099, Serbia 2805 e Mali i Zi 3798. Gjatë kësaj periudhe shkallën më të ulët të vdekjeve në 1 milionë banorë e kanë Kosova (5.01) dhe Gjermania (5.13). Shtetet e rajonit kanë këtë shkallë vdekshmërie në 1 milionë banorë: Shqipëria 23, Serbia 52, Maqedonia 89, Mali i Zi 132 dhe Bosnja 146. Në Evropë, prinë Bullgaria me 161 vdekje/1 milion banorë”, ka shkruar Raka.
Tutje infektologu bën të ditur se nnfeksionet me Omicron kanë pasqyrë më të lehtë klinike, pasi që virusi lokalizohet kryesisht në rrugët e sipërme të frymëmarrjes.
“Shkalla e shtrimit në spital dhe vdekshmëria janë më të ulëta sesa në valët e mëparshme pandemike. Një rol të rëndësishëm këtu ka luajtuar edhe vaksinimi. Por, përhapja masive në komunitet ka shkaktuar mbingarkesë të konsiderueshme në sistemin shëndetësor dhe në kategoritë e tjera esenciale të shoqërisë për shkak të mungesave masive në punë dhe mësim”, ka deklaruar Raka.
Gjithashtu, Raka ka komentuar edhe masa kufizuese, për të cilat thotë se varen nga numri i rasteve, hospitalizimet, vdekjet dhe shkalla e vaksinimit. /Gazeta Enigma/.