Besnik Bislimi tregon se çka diskutuan me Escobar e Lajçak

Besnik Bislimi tregon se çka diskutuan me Escobar e Lajçak

Zëvendëskryeministri parë i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, këtë të hënë ka pritur në takim  Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në qendër të fokusit të këtij takimi ishin mbarëvajtja e procesit të dialogut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces, raporton Gazeta ‘Enigma’.

 Zëvendëskryeministri Bislimi ka ritheksuar “se dialogu është në shërbim të qytetarëve dhe paqes e sigurisë së përgjithshme, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”.

Tutje u potencua pacenueshmëria e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues.

Zëvendëskryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur procesin e dialogut të drejtuar nga BE. Z. Escobar tha se ky proces ka përkrahje të plotë nga ana e SHBA-ve.

Ndërkohë, Emisari i Bashkimit Evropian, z. Lajçak tha se ky takim është një mundësi e mirë për të vazhduar diskutimet dhe avancuar më tej në këtë proces. Gjithashtu, z. Bislimi konfirmoi përkushtimin e Kosovës në vazhdimin e angazhimit konstruktiv në proces dialogut.​/Gazeta Enigma/

Related Articles