Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në konferencën e mbajtur për media ka thënë se Kosova e meriton t’i hiqet regjimi i vizave, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Lajçak në këtë konferencë ka theksuar se çështjen e vizave e përmendin sa herë takohet me liderët e Kosovës, por për këtë duhet konsensus i 27 shteteve anëtare të BE-së.
“Çështja e vizave natyrisht është çështje që ngrihet sa herë që jemi këtu. Jam me ju në këtë. Besoj se Kosova meriton t’i jepet regjimi pa viza. Ka merituar para shumë kohëve. Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka plotësuar gjitha kushtet. Por, nuk është çështje dialogu, kërkon konsensus të 27 shteteve anëtare. Sa herë i informojë ministrat unë e ngritë këtë çështje. Është e dhimbshme kjo çështje. Shpresoj që Kosova të marrë sa më shpejt liberalizimin e vizave”, ka thënë Lajçak në konferencë për media.
“Mandati im është i qartë, jam për të lehtësuar dialogun që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizimit. Me këtë definim BE-ja dëshiron të bëjë të qartë se u takon palëve se çfarë marrëdhënie duan të kenë. Ne nuk ua imponojmë këtë gjë. Nuk ka të bëjë dialogu me statusin e Kosovës, por me marrëdhënien me Serbinë”, ka thënë tutje ai.
Ndërsa për deklaratat e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politika të jashtme Josep Borrell, se Kosova po është më pak e gatshme për dialog, Lajçak ka thënë se Borrell është më i rreptë por i drejtë.
“Borrell natyrisht se është përgjegjës për dialogun, e përcjellë gjendjen shumë më afër. Është i rreptë, por i drejtë si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Nuk kemi pasur aq shumë dialog vitin e kaluar”, ka përfunduar Lajçak.
Lajçak, ndër të tjera ka folur edhe për formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai tha Kosova është e barabartë në dialog dhe se sipas tij nuk duhet t’i frikësohet krijimit të një Asociacioni.
“Nuk keni nevojë për të frikësoheni nga një proces që ju jeni duke e drejtuar me Serbinë. Çdo vendim që do të merret do të bazohen në standardet dhe normat evropiane”, ka thënë Lajçak në konferencën për shtyp të mbajtur në Prishtinë”, ka thënë ai.
Tutje, i dërguari për dialog tha e ka një parim universal që thotë se marrëveshjet që janë dakorduar duhet të zbatohen.
“E kemi bërë shumë të qartë se askush nuk dëshiron një republikë serbe. Ato që janë dakorduar duhet të zbatohen. Këtë po ia themi si palës kosovare edhe asaj serbe. Si Kosovë keni bërë shumë zotime në 12 vitet e dialogut, keni zbatuar shumë prej tyre, por është një listë që nuk e keni zbatuar, Asociacioni është njëra prej tyre”, ka thënë ai.
Sa i përket kësaj çështje, edhe ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ditë më parë ka thënë se Kosova e ka të drejtën e plotë për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. /Gazeta Enigma/.